Sokol Jareci sqaron teknologjinë: Ja kur ndërhyn VAR-i

Futboll

Sokol Jareci sqaron teknologjinë: Ja kur ndërhyn VAR-i

Më: 11 shtator 2021 Në ora: 14:27
Sokol Jareci sqaron teknologjinë: Ja kur ndërhyn VAR-i

“Presidenti i FIFA-s, Infantino ka thënë ‘VAR-i nuk do ta ndryshojë futbollin, por është duke e pastruar atë'”, nis fjalën e tij në një takim informues dhe shpjegues për mediat, disenjatori i arbitrave në FSHF, Sokol Jareci. Më tej, ai ka shpjeguar momentet ku ndërhyn asistenca në arbitrim, si dhe protokollin e komunikimit mes kryesorit në fushë dhe arbitrit në VAR.

“Kemi marrë zyrtarisht certifikimin e Kategorisë Superiore për të aplikuar sistemin VAR dhe të arbitrave. Për momentin kemi 7 arbitra dhe 7 asistentë në sistemin VAR. Aplikimi i këtij sistemi shmang gabimet e rënda në gjykim. Bëhet fjalë për ndërhyrje minimale dhe përfitim sa më maksimal. VAR-i kontrollon gjithçka, por nuk ndërhyn për gjithçka. Asistenti i arbitrit me video mund ta ndihmojë gjyqtarin vetëm në rast të një gabimi të qartë dhe të dukshëm.

Vetëm në këtë rast ndërhyn VAR-i dhe jo për çdo rast apo çdo kontakt. Rastet kur ndërhyn VAR-i kanë lidhje me situatat: Gol/jo gol. Arbitri në VAR për çdo gol shikon të gjithë aksionin. Së dyti, penallti/jo penallti kontrollohet nga VAR-i. Së treti, dhënia e kartonit direkt të kuq, por jo për kartonin e dytë të verdhë. Në momentin që ka reagime të dukshme të lojtarëve brenda zonës për penallti, VAR-i ka detyrën të kontrollojë situatën dhe të sinjalizojë kryesorin: Mos e rifillo menjëherë lojën, po e verifikojmë. Hapi i dytë nga VAR-i është komunikimi me kryesorin:

Të rekomandoj një rishikim në fushë për penallti të munguar, karton të kuq të munguar, gol ose jo gol, si dhe për person të gabuar të cilit i jepet një karton duke e ngatërruar me dikë tjetër. VAR-i vetëm sugjeron. Biseda mes arbitrit në VAR dhe asistentit të tij është e filmuar me video dhe audio, ndërkohë edhe bisedat mes arbitrit në VAR dhe kryesorit në fushë janë të regjistruar në audio.

Dhoma e VAR-it është e filmuar gjatë gjithë kohës. VAR ndërhyn vetëm kur bëhet fjalë për një gabim të dukshëm, ku shpjegimi për këtë është i tillë: Situatë ku çdokush, trajnerë, lojtarë, media dhe tifozë kanë mendimin se kemi të bëjmë me një gabim të dukshëm”, ka shpjeguar Sokol Jareci, në nisje të edicionit ku do të përdoret për herë të parë VAR-i.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat