Shqiptari protagonist në fitoren e Southampton në Angli

Futboll

Shqiptari protagonist në fitoren e Southampton në Angli

Më: 26 dhjetor 2021 Në ora: 18:00
Shqiptari protagonist në fitoren e Southampton në Angli

Southampton ia ka dalë të marrë tre pikët nga transferta e West Ham teksa mposhti vendasit me rezultatin 2-3 (vlen të theksohet se kjo është hera e parë në këtë sezon ku Southampton shënon më shumë se dy gola).

Edhe pse nuk ia doli të gjente rrugën e rrjetës, protagonist absolut për Shenjtorët ishte Armando Broja.

Sulmuesi i kuqezinjve ia doli të fitonte një penallti në fraksionin e dytë të sfidës teksa shpërtheu me shpejtësinë e tij duke detyruar Dowsen ta ndalte në mënyrë të parregullt, ndërsa gjatë sfidës edhe dy lojtarë të tjerë nga ana e kundërshtarëve u ndëshkuan me të verdhë pasi nuk ia dolën të ndalnin në mënyrë të rregullt sulmuesin kuqezi.

Sa i takon kronikës së sfidës, Southampton kaloi e para në avantazh, teksa në minutën e tetë Elyounoussi u tregua i saktë me një goditje në hyrje të zonës duke mposhtur portierin Fabianski. Me avantazhin e miqve u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën, vendasit ditën të reagonin dhe barazuan shifrat me anë të Antonios në minutën e 49. Por, në vazhdim, protagonist u bë Broja me penalltinë e fituar teksa Ward-Prose e përktheu në gol në minutën e 61.

Gjithsesi, West Ham nuk ishte dorëzuar dhe vetëm katër minuta më vonë, Benrahma riktheu ekuilibrat duke mos falur me një goditje brenda zonës. Gjithsesi, Southampton gjeti forcat për të sulmuar sërish dhe këtë herë golin e gjetën pas një goditje standarte ku mbrojtësi Jan Bednarek fitoi duelin me mbrojtjen kundërshtare.

Këtë herë, Southampton diti si ta mbronte rezultatin dhe ia doli të merrte tre pikë me shumë vlerë teksa pas kësaj sfide, ekipi i drejtuar nga ana e Ralph Hassenhutl renditet në vendin e 14-të me 20 pikë, ndërsa nga ana tjetër, West Ham është në vendin e 6-të me 28 pikë të grumbulluara pas 18 javësh të luajtura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat