Frashëri largohet nga Drenica

Futboll

Frashëri largohet nga Drenica

Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 15:13
Frashëri largohet nga Drenica

Erlis Frashëri do të jetë përforcimi i parë i Skënderbeut në merkaton e janarit.

Frashëri i dha fund “emigrimit” pas aventurës te Drenica dhe tashmë do kthehet tek ekipi ku nisi karrierën e tij.

Ky rikthim vjen pas më shumë se 11 vitesh në qytetin e tij të lindjes. Futbollisti korçar u shpreh se do të jetë pjesë e Skënderbeut duke nisur nga muaji janar, ndërsa detajet e kontratës nuk janë bërë ende të ditura, madje për as vetë lojtarin.

Frashëri gjen një ambient krejtësisht të ndryshëm nga ai që e ka lënë 11 vite më parë, ndërsa rikthehet duke gjetur miq si Liçi e Memelli. Lajmin lojtari e ka konfirmuar, ndërsa është shprehur se në takimin e parë që do të ketë me drejtuesit do të vendosë për detajet dhe zyrtarizimin.

“Po, është e vërtetë që do të jem pjesë e Skënderbeut. Bisedimet kanë nisur prej ditësh, duke mbyllur parimisht detajet dhe këto ditë kryet gjithçka. Jam shumë i lumtur që do jem përsëri pjesë e Skënderbeut”, tha Frashëri për PanoramaSport.

“Për sa i përket kontratës, nuk e di ende si do të biem dakord, pasi me këto kushte do të flas me presidentin në ditën e parë që do të jem pranë ekipit. Rëndësi ka që unë do të rikthehem në shtëpinë time, për të luajtur me ekipin e zemrës|”.

“Për mua kjo është një ndjesi e veçantë. Në Korçë gjej një ambient mjaft të ngrohtë, është qyteti im dhe shtëpia ime. Por, objektiva të ndryshëm dhe kushte shumë herë më të mira se kur unë isha pjesë e Skënderbeut për herën e fundit. Të them të drejtën, rikthimin e kisha peng që nga një sezon më parë”.

“Isha shumë pranë kalimit te Skënderbeu edhe para një viti, por gjithçka mori kthesë tjetër, pasi mbërriti një ofertë nga Drenica. Nuk është se u tundova ekonomikisht, por doja të provoja një aventurë jashtë Shqipërie dhe prandaj nuk u realizua si transferim”, u shpreh Erlis Frashëri.

33-vjeçari ka qenë pjesë e Skënderbeut në sezonin e largët 2009-2010 dhe më pas ka ndërruar shumë ambiente duke provuar të luajë me ekipe të ndryshme në elitën e futbollit shqiptar, ku veç të tjerash spikasin Teuta dhe Partizani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat