Musta: Gabova që shkova te Partizani

Futboll

Musta: Gabova që shkova te Partizani

Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 16:28
Musta: Gabova që shkova te Partizani

Emiljano Musta, ishte një nga më të dalluarit në fushë në triumfin ndaj Egnatias. Në prononcimin pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, futbollisti i Kukësit, foli edhe në lidhje me arsyet e “divorcit” me Partizanin, duke u shprehur:

“Kemi kaluar një javë të vështirë, pasi humbëm me një disfatë të thellë. Kemi treguar që jemi ekip i madh dhe dimë të ringrihemi. E dominuam kundërshtarin dhe morëm 3 pikë të arta.

Pozicionin e ri ma ka kërkuar trajneri, e kam bërë edhe më përpara, roli im natyral është mbrojtës i majtë. Mundohem të jap maksimumin dhe të kontribuojmë edhe ne djemtë e rinj që jemi afruar në merkaton e janarit.

Trajneri na kërkon shumë në stërvitje, është fans i çmendur i pasimeve të shkurtra, shpesh herë rrezikojmë. Mundohemi të bëjmë gjithmonë më të mirën.

Këtë fitoren e sotme ia dedikojmë Iris Selimit, që humbi një njeri shumë të dashur. Shpresojmë të bëhet i fortë, është larguar drejt Italisë, duam t’i qëndrojmë pranë në këto momente të vështira.

Nuk dua të flas shumë për të shkuarën, gabimi im që në verë që zgjodha Partizanin, kam qenë edhe njëherë në moshën 20-vjeçare dhe nuk shkoi mirë, ishte sfidë personale, Partizani është ekip i madh në Shqipëri, por gjërat nuk shkuan mirë. Te Kukësi ndihem i vlerësuar.

Personalisht jam munduar të jap më të mirë. Më thirri drejtori sportiv dhe më tha që nuk jam në planet e ekipit sepse isha një nga më të dobëti. E vërteta është gjithmonë subjektive, më e mira ishte të zgjidhnim kontratën.

Nuk po them që jam superstar, por kam vite mbi shpinë, nuk dua të rri diku ku nuk jam i vlerësuar”, u shpreh Musta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat