Kryeziu tregon sekretin e fitores ndaj Ballkanit dhe paralajmëron Drenicën

Futboll

Kryeziu tregon sekretin e fitores ndaj Ballkanit dhe paralajmëron Drenicën

Më: 9 mars 2022 Në ora: 19:21
Dren Kryeziu

Fitorja e Malishevës ndaj Ballkanit me rezultat 2-0 ka ngritur lartë moralin e kësaj skuadre e cila për objektiv kryesor ka mbetjen në elitën e futbollit kosovar edhe për sezonin e ardhshëm.

Skuadra trajnerit Arsim Thaçi tregoi një lojë bindëse ndaj asaj të Ilir Dajës duke mos lejuar asnjëherë të rrezikohet porta dhe të vihet në dyshim fitorja e tyre.

I lumtur me këtë paraqitje është shprehur pas ndeshjes edhe kapiteni i Malishevës Dren Kryeziu i cili ishte njëri nga më të mirët në fushë.

Duke folur për fitoren ndaj Ballkanit, Kryeziu thotë se ishin përgatitur dhe e kishin analizuar në çdo aspekt kundërshtarin dhe ia dolën që ta bllokojnë me sukses sulmin e tyre për të mos paraqitur rrezik.

“Normale që është fitore e rëndësishme për vazhdimin e luftës qe kemi qe t’i ikim zonës së fundit të tabelës , e kemi përgatitur mjaftë mirë lojën, i kemi analizuar në çdo aspekt ku i kanë pikat e forta që të mos të i lejojmë të shfaqin rrezik për të shënuar dhe kemi arritur objektivin me një super-lojë të treguar nga ana jonë dhe tre pikë mjaftë të mira për të vazhduar tutje”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se punojnë shumë si skuadër për të fituar sa më shumë pikë në mënyrë që Malisheva të jetë sa më e qetë në xhirot e fundit të kampionatit.

“Po mendoj që kemi arritur formën e duhur dhe shpresojmë që edhe në xhirot e ardhshme të grumbullojmë pikë sa më shumë në mënyrë që të jemi më rehat në përfundim të sezonit. Motivin na ka rritur kjo fitore shumë e madhe dhe duhet të qasemi ne çdo lojë si të jetë finale finale”, shtoi ai.

Ndeshja e radhës për Malishevën është ajo kundër Drenicës në udhëtim, skuadër kjo e cila po ashtu po kalon nëpër një formë shumë të mirë të rezultateve, por kapiteni i KF Malishevës shprehet i bindur se me një angazhim të duhur ata mund ta befasojnë Drenicën në shtëpinë e tyre.

“Po, Drenica është mjaftë kundërshtar i fortë e sidomos në fushën vet ku luan lojë shumë të shpejtë. I njohim shumë mirë pikat e forta dhe besoj që me një angazhim shumë lehtë mundemi t’i befasojmë dhe pse jo të fitojmë sepse kemi një ekip shumë mirë te komponuar dhe çdo gjë arrihet kur hyjmë me 100% në fushë”, theksoi në fund Kryeziu.

Malisheva ka 29 pikë në vendin e shtatë kurse Drenica është e pesta me 31 pikë, por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, atë kundër Llapit që zhvillohet të enjtën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat