Plaga për eliminimin e tretë radhazi

Futboll

Plaga për eliminimin e tretë radhazi

Më: 18 mars 2022 Në ora: 14:02
Plaga për eliminimin e tretë radhazi

Plaga për eliminimin e tretë radhazi në 1.8-at e Champions League është akoma e freskët dhe djeg akoma shumë në Torino. Megjithatë, tek Juventus kanë nisur punën për sezonin e ardhshëm.

Massimiliano Allegri kundër Villarreal-it ka marrë konfirmime për lojtarët që janë të denjë për një ekip të madh dhe ata që nuk kanë karakteristikat e duhura.

Trajneri livornez synon ta mbyllë sa më mirë sezonin dhe më pas ta përmirësojë organikën në verë me lëvizje të goditura në merkato për Champions-in. Juventus, në fakt, mund të ketë në planet e saj katër blerje të këshilluara nga trajneri.

Sipas Tuttosport, një nga mangësitë që është vënë re nga Allegri ka lidhje me mbrojtjen: Bonucci dhe Chiellini nuk japin më garanci fizikisht dhe profili ideal për të përforcuar repartin është Antonio Rudiger.

Qendërmbrojtësi gjerman do të mbetet pa kontratë në qershor dhe do të mund të largohet me zero nga Chelsea: pengesa më e madhe kanë lidhje me konkurrencën, por ish-lojtari i Roma-s është i preferuari i Zonjës së Vjetër.

Mangësia më e madhe e skuadrës bardhezi mbetet mesfusha, ku mungon lojtari cilësor që të dijë të bëjë pasime në vertikale dhe të drejtojë lojën e skuadrës.

Sipas La Gazzetta dello Sport, alternativat që po ndjek Juventus-i janë kryesisht tre: Paul Pogba, Renato Sanches dhe Jorginho. Duke e nisur nga italo-braziliani, menaxheri i të cilit ka folur për Calciomercato.it në lidhje me të ardhmen e klientit të tij, në fillim duhet të zhbllokohet situata në shtëpinë e Chelsea-t: një lamtumirë është akoma e mundshme, ashtu si edhe rinovimi me klubin londinez.

Pista franceze për mesfushën, më pas, mbetet për t’u monitoruar me kujdes. Nga njëra anë është Pogba, kthimi i të cilit me kosto zero tundon shumë Zonjën e Vjetër, nga tjetra Renato Sanches.

Mesfushori portugez është drejt daljes nga Lille dhe për të interesohet edhe Milan-i, por bardhezinjtë mund të ndërhyjnë me vendosmëri dhe t’ua marrin kuqezinjve.

Për sa i takon sulmit, emri kryesor është vetëm një: Nicolo Zaniolo. AI dhe Juventus-i po ndjekin njëri-tjetrin prej shumë vitesh, rinovimi me Roma-n është bllokuar dhe oferta e duhur mund ta dërgojë në Torino.

Në fund, nuk mund të përjashtohet një goditje në krahun e majtë. Alex Sandro duket se ka ardhur në fund të aventurës së tij me Juventus-in dhe Luca Pellegrini nuk jep garanci për një vend si titullar.

Edhe në këtë rast, duhet parë në shtëpinë e Chelsea-t: Emerson Palmieri, aktualisht i huazuar te Lyon, vazhdon të pëlqehet nga bardhezinjtë dhe mund  të jetë emri i duhur. Me pak fjalë, një revolucion në merkato i motivuar nga një objektiv kryesor: të fitohet Champions League.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat