Pioli: I pres këto vështirësi

Futboll

Pioli: I pres këto vështirësi

Më: 5 prill 2022 Në ora: 11:25
Pioli: I pres këto vështirësi

Ishte ndeshja e 100-të në bankinën e Milanit në Serinë A, por Stefano Pioli nuk festoi dot.

Pas ndeshjes, trajneri analizoi shkaqet e barazimit “të lodhur” me Bolognan.

Lidhur me problemet e ekipit të tij, ai u shpreh: “Nuk arritëm të gjenim shkëndijën për të ndezur lojën në mënyrën e duhur. Bëmë 33 goditje dhe dominuam, por gjetëm një ekip që mbrohej mirë. Duke i njohur djemtë, do ta përjashtoja aspektin mendor. Performanca ishte e mirë dhe skuadra nuk luajti me presion. Mendoj se pati mungesë cilësie në 20 metrat e fundit. Kohët e fundit po ndërtojmë shumë, por po korrim pak”.

Vështirësitë me ekipet e vogla po u kushtojnë kuqezinjve pikë të rëndësishme. Edhe Bologna i konfirmoi problemet e Milanit me ekipet që luajnë të ngjeshura në mbrojtje.

“I pres këto vështirësi dhe i pres për të gjitha skuadrat. Kjo fundjavë duhej të ishte e favorshme për ne, por ja që e shkurtuam avantazhin në vend që ta rrisim. Do të jetë një kampionat i vështirë deri në fund.

Me Torinon pres të jetë e vështirë, por duhet të luftojmë deri në fund, sepse e meritojmë. Duhet të mendojmë për garën e radhës. Është një mundësi e humbur dhe do të përpiqemi të bëjmë më mirë nga ndeshja e ardhshme”, përfundoi Stefano Pioli deklaratën e tij për mediat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat