Tonali: Jemi të parët

Futboll

Tonali: Jemi të parët

Më: 25 prill 2022 Në ora: 12:25
Tonali: Jemi të parët

Njëzetepesë goditje drejt portës për dy gola. Milani vuan përsëri, megjithatë shërimin e gjen tek ai që ndoshta mund të cilësohet me plot meritë si njeriu i sezonit. Sandro Tonali, 21 vjeç dhe milanist prej një jete. I dhuroi fitoren skuadrës dhe gjeti forcë për të vrapuar rreth 100 metra për të festuar me tifozët. Nëse “Djalli” ruan kreun, një pjesë e madhe e meritës i takon mesfushorit që pas ndeshjes dha edhe një intervistë për televizionin e klubit.

Çfarë ndjesish dhuron një gol i tillë në fund të ndeshjes?

Emocione të mëdha pa dyshim, por merita i takon skuadrës që vrapon shumë për këtë futore. Atmosfera në stadium ishte fantastike falë tifozëve që kishin ardhur për të na mbështetur. Më dukej sikur isha në “San Siro”, ndaj më duhet të falënderoj tifozët në emër të të gjithë ekipit. Për mua çdo gol është emocion më vete, por më këtë fanellë është ndryshe e jam i bindur që nuk do ta harroj kurrë.

Përsëri e patët aq të vështirë në fillim?

Nuk e di. Patëm vështirësi në nisje edhe në derbi ku reaguam pa mundur të gjejmë golin. Edhe ndaj Lacios e nisëm keq, por më pas dolëm në lojën tonë, krijuam e më në fund arritëm të finalizonim siç duhej.

Po Ibra përse ankohej aq shumë?

Kërkonte topa vertikalë dhe në mesin e zonës së Lacios. Të kesh një shok skuadre të tillë është diçka e rrallë ndaj duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë që të jetë e mundur. Nga një prekje e tij me kokë na ndryshoi ndeshja. Duhet të vazhdojmë të gjithë punën me këtë përkushtim.

Ndeshje të tilla ndihmojnë në rritjen e besimit për titull?

Kemi ende edhe katër ndeshje të cilat duhen marrë me radhë. Janë të paktë ata që besojnë te ne dhe pavarësisht se jemi të parët askush nuk e pranon forcën tonë. Jemi të përulur dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën. Tani vëmendja jonë është e gjitha te Fiorentina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat