Një provë mjaft e mirë për Shqipërinë U-19

Futboll

Një provë mjaft e mirë për Shqipërinë U-19

Më: 7 qershor 2022 Në ora: 11:50
Një provë mjaft e mirë për Shqipërinë U-19

Kombëtarja shqiptare U-19 ka zhvilluar testin e parë miqësor të programuar ndaj Malit të Zi U-19, të luajtur në Podgoricë. Një paraqitje e mirë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Armando Cungu, që arriti të fitonte me rezultatin 2-1. Golat e fitores u shënuan nga Toma dhe Shkurti, ndërkohë që në këtë sfidë u aktivizuan shumë nga lojtarët e grumbulluar.

Shqipëria e nisi ndeshjen me këtë formacion: Endri Dema, Arlind Kurti, Albion Kurbasha, Daniel Hysaj, Romeu Abazaj, Bilario Azizi, Renaldo Torraj, Artyon Ramaj, Rrok Toma, Kevin Shkurti, Brajan Begotaraj.

Ndeshja nis e balancuar me kuqezinjtë që tentojnë herë pas here të zhbllokojnë rezultatin. Në minutën 23-të sulmuesi Rrok Toma përfiton nga një gabim i mbrojtjes malazeze dhe pasi zotëron topin në hyrje të zonës, mposht portierin me një parabël të bukur. Shqipëria U-19 kalon në avantazh dhe goli i jep zemër kuqezinjve, që janë shumë aktivë në sulm. Në minutën e 26-të sulmuesi Kevin Shkurti fiton një top në hyrje të zonës kundërshtare, ku pengohet në mënyrë të parregullt nga portieri malazez. Gjyqtari nuk ka asnjë hezitim dhe akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë është po Shkurti që merr përsipër të ekzekutojë goditjen me sulmuesin që tregohet i saktë dhe çon rezultatin në 2-0.

Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e dyfishtë të Kombëtares shqiptare, ndërsa në pjesën e dytë trajnerët bëjnë shumë zëvendësime, duke aktivizuar shumë prej lojtarëve të grumbulluar. Mali i Zi U-19 shënon edhe një gol, duke ngushtuar shifrat në 2-1, por deri në fund Kombëtarja U-19 arrin të ruajë avantazhin dhe fiton ndeshjen.

Një provë mjaft e mirë për Shqipërinë U-19, që të martën do të zhvillojë miqësoren dytë ndaj Malit të Zi U-19. Këtë herë ndeshja do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 17:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat