Gjithçka gati për miqësoren me Kosovën U-15

Futboll

Gjithçka gati për miqësoren me Kosovën U-15

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 18:52
Gjithçka gati për miqësoren me Kosovën U-15

Kombëtarja shqiptare U-15 vijon përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Kosovës U-15, që do të luhet në stadiumin e ri “Kukës Arena” në datat 16 dhe 18 qershor, me të duelet që do të nisin në ora 17:30.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Armand Dama ka nisur grumbullimin që ditën e hënë teksa janë ftuar 23 lojtarë të spikatur për miqësoret.

Disa prej lojtarëve të ftuar luajnë në kampionatet e huaja, duke u aktivizuar me ekipe si Juventus, Empoli, Peterborough etj., ndërsa pjesa më e madhe e tyre aktivizohen në kampionatin vendas.

Përfaqësuesja është akomoduar që të hënën në Tiranë, ndërsa po stërvitet në kompleksin Internacional në Pezë Helmes. Për shkak të impenjimeve shkollore, disa prej lojtarëve që aktivizohen jashtë janë bashkuar me ekipin të martën, ndërsa futbollistët Leonard Kolgecaj dhe Oliver Blini kanë mbërritur sot në grumbullim.

Në seancën e parë stërvitore dy futbollistët Mateo Deda dhe Endri Agolli kanë shfaqur probleme fizike dhe janë mbajtur nën monitorimin e stafit mjekësor të ekipit kombëtar. Gjithsesi, stafi teknik konfirmon se dy lojtarët tashmë janë rikuperuar dhe do të jenë të gatshëm për ndeshjen. Sa i përket pjesës tjetër të grupit nuk ka probleme me dëmtimet dhe të 3 lojtarët janë gati për të luajtur.

Këto dy sfida me Kosovën janë mundësi e mirë për trajnerin dhe stafin teknik të Kombëtares U-15 të provojnë sa më shumë lojtarë të jetë e mundur në ndeshje të vërteta për të evidentuar sa më shumë elementë të perspektivës të kësaj grup-moshe.

Stafi i skuadrës shqiptare U-15 ka zhvilluar seleksionime të shumta gjatë muajve të fundit, duke testuar lojtarë të shumtë, teksa së fundmi ka marrë pjesë edhe në një turne për moshën U-15 në Bosnjë, ku ekipi kuqezi mati forcat me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme të Ballkanit.

Ndërkaq, përfaqësuesja kuqezi do të udhëtojë sot drejt Kukësit dhe do të qëndrojë në këtë qytet në ditët e vazhdim për dy sfidat miqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat