Shqipëria luan ndeshjen e fundit ndaj Bosnje-Hercegovinës

Futboll

Shqipëria luan ndeshjen e fundit ndaj Bosnje-Hercegovinës

Më: 11 shtator 2022 Në ora: 15:04
Shqipëria luan ndeshjen e fundit ndaj Bosnje-Hercegovinës

Shqipëria U-15 për femra ka zhvilluar këtë të diel ndeshjen e fundit të turneut UEFA Development për këtë grupmoshë në Bosnje-Hercegovinë.

Përballja e tretë vajzave kuqezi ishte pikërisht kundrejt boshnjakeve, që ishin edhe organizatore të këtij turneu zhvillimor të UEFA-s.

Sfida u mbyll në favor të Bosnje-Hercegovinës, që mposhtën Shqipërinë e drejtuar nga Kreshnik Krepi me shifrat 4-1.

Goli i vetëm për ekipin shqiptar u realizua nga Egla Hoxha në minutën e 69-të, e cila u fut si zëvendësuese në këtë takim të fundit.

Kreshnik Krepi e nisi lojën me këtë formacion: Laura Gjergji (GK), Adile Sharka, Kostandina Cipi, Imelda Ara, Albina Tashi, Olivia Nazarko, Samanta Hysa, Anja Goskova, Aishe  Sulejmani, Besarda Guri, Gelda Kadiolli (c).

Pavarësisht rezultatit 4-1, skuadra shqiptare e sapo krijuar zhvilloi një lojë të mirë, por gabimet individuale ishin ato që vendosën ndeshjen.

Gjithashtu, në këtë sfidë, trajneri Krepi duhet mundësi të aktivizonte edhe futbollistet e tjera që nuk kishin luajtur në dy ndeshjet e para.

Me këtë humbje, Shqipëria e mbyll pjesëmarrjen në këtë turne në vendin e tretë, me vetëm tre pikë të grumbulluara, një fitore dhe dy humbje.

Ky turne ishte një eksperiencë e parë mjaft e mirë për vajzat kuqezi, që për herë të parë veshën fanellën shqiptare dhe përfaqësuan Shqipërinë në një turne të UEFA-s për këtë grupmoshë.

Në vijim, ekipi kombëtar U-15 do të marrë pjesë në të tjera turne, teksa do të vijojnë seleksionimet dhe grumbullimet për këtë grupmoshë, për t’i sjellë Kombëtares shqiptare për femra elemente cilësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat