“Dardanët”, të gatshëm t’i ndihmojnë Ballkanit

Futboll

“Dardanët”, të gatshëm t’i ndihmojnë Ballkanit

Më: 8 tetor 2022 Në ora: 12:29
“Dardanët”, të gatshëm t’i ndihmojnë Ballkanit

Tifo-grupi “Dardanët” është gati t’i ofrojë ndihmë Ballkanit për ndeshjet e ardhshme në kuadër të Conference League.

Kryetari i këtij grupi, Lulzim Berisha, në një postim në Facebook, tha se “Xhebrailat” dhe vetë klubi mund të llogarisin në ndihmën e tyre për përballjet në vijim në arenën evropiane.

Ndër të tjera, Berisha tha se ata janë të gatshëm të kontribuojnë në organizm të tifozërive dhe në koreografi.

"Ballkani na gëzoi të gjithëve me paraqitjen në Turqi kundër Sivassporit dhe me krejt çka po arrin të bëjë në Conference League.

Dy ndeshjet e ardhshme mund të jenë vendimtare, sepse edhe ashtu luhen në tokën tonë. Na presin dy sfida të vështira me Sivassporin dhe Slavia Pragën gjatë javëve në vijim.

Unë kam reaguar në profilin tim me mesazhe urimi përmes fotografive në storiet e Facebook-ut për çdo arritje të ndonjë klubi kosovar: si për Ballkanin, ashtu edhe për KB Trepçën në basketboll.

Kaq besoj se nuk mjafton. Meqenëse në vendin tonë do të përcaktohet në masë të madhe fati i grupit në dy ndeshjet e ardhshme në Conference League, e ftoj Ballkanin së bashku me tifogrupin “Xhebrailat” që të mund llogarisin në çdo ndihmë nga unë si kryetar i grupit Dardanët, ashtu sikur nga të gjithë anëtarët.

Do të angazhohemi që mos të ketë asnjëherë ndarje e as preferenca rajonale, por Dardanët të jenë në shërbim të secilit klub dhe tifozëri kur kemi këso ngjarje jetike.

Për koreografi, mobilizim, bashkëpunim dhe çdo gjë tjetër – jemi të hapur. Sinqerisht. Me plot zemër dhe përkushtim. E ndiej dhe ndjejmë borxh. Andaj, nga sot mund të koordinohemi dhe t’i bashkërendojmë hapat.

Ju përfaqësoni më shumë se qytetin e juaj. Ju përfaqësoni shpresën e futbollit vendor dhe avancimin e tij. Jeni promotorë të një imazhi të veçantë që po ia jepni Kosovës.", ka shkruar Lulzim Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat