Nisin kampionatet rajonale të moshave në Tiranë

Futboll

Nisin kampionatet rajonale të moshave në Tiranë

Më: 29 tetor 2022 Në ora: 00:39
Nisin kampionatet rajonale të moshave në Tiranë

Kanë nisur të luhen në zonën e Tiranës kampionatet e Kategorisë së Dytë rajonale të moshave nga U-17 e deri në moshën U-19, që këtë sezon ka një interes të shtuar për pjesëmarrje dhe kjo vihet re në numrin e fëmijëve të regjistruar për herë të parë me ekipet e futbollit.

Krahasuar me sezonin e kaluar në Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë janë regjistruar mbi 1 mijë fëmijë dhe 64 ekipe më shumë në të gjitha nivelet e moshave, kjo edhe falë riorganizimit të garave me formatin e ri dhe projektit madhor të FSHF “Uniforma Ime”, që u siguron uniforma falas fëmijëve e që po jep efekt të menjëhershëm në afrimin e më shumë fëmijëve në botën e bukur të futbollit.

Aktualisht janë luajtur ndeshjet e javës së parë në kampionatet e moshave U-11, U-13, U-15 dhe U-17, ndërkohë që pritet të nisin shumë shpejt edhe kampionatet U-7, U-9 dhe U-19, me këto të fundit që do të bashkohen në një kampionat në rang kombëtar me ekipet e zonave të tjera rajonale.

Në këtë sezon në Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë janë regjistruar 367 ekipe nga shoqata, akademi dhe klube futbolli, që do të jenë të ndara në grupe brenda zonës rajonale dhe kampionatet do të luhen me dy faza.

Për moshën U-7 janë regjistruar 36 ekipe, për moshën U-9 janë 88 ekipe, për moshën U-11 janë po 88 ekipe, për moshën U-13 janë 78 ekipe, për moshën U-15 janë 47 ekipe, për moshën U-17 janë 19 ekipe dhe për moshën U-19 janë regjistruar 10 ekipe vetëm në zonën e Tiranës.

Ndërkaq, po punohet paralelisht edhe për regjistrimin e ekipeve të vajzave në kampionatin rajonal të Tiranës për moshën U-13 dhe U-15 dhe pritet që këtë sezon të jenë 15 ekipet pjesëmarrëse në këtë garë, sërish në rritje krahasuar me sezonin e kaluar. Gjithashtu, nga SHRFT po merren masat edhe për organizimin e kampionatit të shkollave për vajza ku marrin pjesë rreth 20 shkolla me afërsisht 320 vajza pjesëmarrëse në këtë sezon.

Përtej punës së mirë që po bëhet nga strukturat e FSHF dhe SHRFT për organizimin e kampionateve rajonale të moshave, problem akut mbetet  infrastruktura sportive dhe mungesa e fushave në qarkun e Tiranës, që e vështirëson shumë zhvillimin e futbollit dhe mbarëvajtjen e kampionateve.

Jo më kot FSHF ka nisur projektin e “100 fushave” pikërisht për t’i ardhur në ndihmë futbollit, por veçanërisht në Tiranë nuk ka pasur zhvillime dhe nuk është gjetur bashkëpunim për ndërtimin e fushave të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat