Trajneri i Argjentinës, Lionel Skaloni, ka zbardhur të premten listën me 26 lojtarët që do të përfaqësojnë dy herë kampionët e botës në “Katar 2022”. Të gjithë kanë pritur me kërshëri.
Të mësuar ndoshta dhe nga fakti se në Argjentinë sa herë që është shpallur lista e lojtarëve në një Botëror, polemikat kanë qenë të shumta.
Rasti më flagrant te Argjentina ka qenë lënia jashtë skuadre në Botërorin e shtëpisë në vitin 1978 e Diego Armando Maradonës për një kapriço të Çezar Luis Menotit. Historia do të përsëritej me emra të tjerë të rëndësishëm si Rikelme në vitin 2002, Zanetit në 2006-ën, Kambiaso në vitin 2010, Tevez (2014) dhe Lautaro Martinez në vitin 2018. Në listën e të zgjedhurve të Skalonit, duket se nuk ka shumë vend për polemika.
Mediat argjentinase kanë rënë gati në unison, se trajneri i Albiçelestëve nuk ka bërë ndonjë padrejtësi. E vetmja surprizë, nëse mund të quhet e tillë është mungesa e Angel Korreas.
DIBALA – Lista e Argjentinës kryesohet natyrisht nga ai, Leo Mesi, në aventurën e tij të fundit në një turne të kësaj natyre me kombëtaren e vendit të tij. Mbi “Pleshtin” do të rëndojë barra e udhëheqjes së një skuadre ku bëjnë pjesë 19 lojtarë, që e kanë për herë të parë aventurën në një Botëror.
Pas tij, “bomba” e Skalonit, ka qenë grumbullimi i Paulo Dibalës. Ka vuajtur shumë, por në fund ka mundur t’ia dalë, duke u bërë pasagjeri i fundit në avionin e Argjentinës për në Katar.