Manchester Utd importon tre pikë

Futboll

Manchester Utd importon tre pikë

Më: 13 nëntor 2022 Në ora: 19:50
Talenti argjentinas nderon United ndaj Fulham

Manchester United mori një fitore shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit teksa mposhti në transfertë me rezultatin 1:2, Fulham.

“Djajtë e Kuq” e nisën ndeshjen në mënyrën e duhur teksa kaluan të parët në avantazh me anë të Christian Eriksen që realizoi golin e parë me fanellën e Manchester United.

Vendimtar në golin e danezit ishte edhe Casemiro që rikuperoi një top në mesfushë nga nisi kundërsulmi i golit dhe më pas ishte Bruno Fernandes që pasoi për danezin.

Ndërkaq, në fundin e pjesës së parë, sërish Eriksen iu paraqit një mundësi e artë për të dyfishuar por këtë herë mesfushori gaboi shënjestër dhe nuk gjeti kuadratin.

Ndërkohë, në fraksionin e dytë, vendasit u shfaqën më kërkues dhe ishte De Gea që shpëtoi në disa raste skuadrën e tij. Gjithsesi, portieri spanjoll nuk mund të bënte asgjë pas golit të Daniel James, ish-lojtarit të United. Sulmuesi anësor u shfaq në zonë dhe vetëm pak metra larg portës nuk fali duke rikthyer ekuilibrin.

Por, në fund, u shfaq talenti Alejandro Garnacho që realizoi një gol me mjaft vlera në minutën e 93-të duke shpëtuar skuadrën e tij ndërsa gjithnjë e më shumë po fiton edhe besimin e trajnerit Erik ten Hag.

Pas kësaj fitoreje, United ngjitet në kuotën e 26 pikëve në vend të pestë, ndërsa Fulham renditet në vendin e nëntë me 19 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat