Laporta ndez katalanasit në prag të finales së Superkupës

Futboll

Laporta ndez katalanasit në prag të finales së Superkupës

Më: 15 janar 2023 Në ora: 11:50
Ilustrim

Joan Laporta shpërndan optimizëm në radhët e katalanasve para finales së Superkupës së Spanjës. Barcelona do të përballet me Realin e Madridit, një “Klasike” në finale që për herë të parë do të luhet jashtë kufijve të Spanjës.

Një ditë pas suksesit kundër Betisit në gjysmëfinale, numri një i klubit të Barcelonës është shfaqur euforik që nga hoteli ku po qëndron e grumbulluar skuadra e tij. Gjatë një takimi me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Laporta u shfaq në humor në buzën vesh më vesh. Ai e di fare mirë se një trofe si Superkupë, sado i parëndësishëm mund të duket, do t’i shërbente jo pak projektit të tij për të kthyer Barçën në rrugën e sukseseve.

Aq më shumë kur kjo finale nuk është si gjithë të tjerat, sepse përballë do të jetë Reali i Madridit. Në një moment të mëngjesit të së premtes, në të njëjtën sallë të hotelit ku po qëndron Barcelona, Laporta u pa në formën e tij më të mirë. Kur hasi në disa gazetarë, rrugës për në njërën nga dhomat e hotelit, përsëriti në gjuhën katalanase: “anem a arrasar, anem a arrasar”, që do të thotë “të shkojmë t’i shkatërrojmë”.

Kjo është një formë motivimi që presidenti i Barçës ka zgjedhur për skuadrën e tij. Në momentin kur Laporta ka përfunduar fjalën e tij në hollin e hotelit është shfaqur dhe trajneri Ksavi, i cili ka nënvizuar se më të mirët janë në finale. Eufori ose jo, fakt është se atmosfera te Barça është optimiste.

Për më shumë te Barcelona e dinë fare mirë se në finale përballen me një Real që nuk është në momentin e vet më të mirë të sezonit. Ndaj një sukses kundër rivalëve të përjetshëm do të ishte domethënëse jo vetëm për Superkupën, por edhe për garën në La Liga, ku aktualisht Barça kryeson me tri pikë më shumë se “Los Blancos”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat