Duka priti në një takim Rektorin e Universitetit të Sporteve të Tiranës

Futboll

Duka priti në një takim Rektorin e Universitetit të Sporteve të Tiranës

Më: 18 janar 2023 Në ora: 11:36
Duka priti në një takim Rektorin e Universitetit të Sporteve të Tiranës

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka priti në një takim Rektorin e Universiteteve të Sporteve të Tiranës, Prof.Dr. Agron Kasa për të diskutuar për një sërë çështjesh konkrete në kuadër të bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Në këtë takim morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, përgjegjësi i Sektorit të Edukimit në FSHF, Sulejman Starova si edhe zyrtarë të tjerë të FSHF-së, ndërkohë që Rektori i UST shoqërohej edhe nga Drejtori i Institutit të Kërkimit Shkencor të Sportit në Universitetin e Sporteve të Tiranës, Prof.As.Dr. Arben Kaçurri dhe zyrtarë të UST.

Prej kohësh FSHF dhe UST kanë një bashkëpunim të frytshëm në aktivitetet sportive dhe veprimtaritë kualifikuese e trajnuese të organizuara nga këto institucione, duke kontribuar me të gjithë kapacitetin infrastrukturor, bazën materiale dhe burimet njerëzore të disponueshme.

Gjatë takimit Presidenti Duka vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu të gjitha gatishmërinë e FSHF-së për të intensifikuar aktivitetet e përbashkëta e veçanërisht për të shfrytëzuar edhe kërkimet shkencore universitare e për t’i vënë në shërbim të zhvillimit të futbollit.

Edhe Rektori Kasa nga ana e tij e ka cilësuar partneritetin me FSHF-në si shumë të rëndësishëm për Universitetin e Sporteve të Tiranës, teksa ka shprehur edhe disa pika konkrete për të vijuar me programe të përbashkëta siç është masteri për përgatitësin atletik apo edhe ngritja e programeve të reja të edukimit, duke parë hapësirat ekzistuese, mastera dhe doktoratura me plane të qarta e konkrete.

Palët ranë dakord për ngritjen e një grupi pune për të ndjekur zhvillimin e këtij bashkëpunimi teksa u diskutua edhe për mundësinë e një marrëveshje më të madhe bashkëpunimi, me të gjitha klubet dhe akademitë kryesore, me fokus edukimin siç duhet të të rinjve, të lojtarëve apo trajnerëve.

Gjithashtu, u diskutua edhe rreth analizave cilësore te trajnerëve që përfundojnë kurset formuese pranë FSHF, në mënyrë që të vlerësohet efekti i kurrikulave aktuale që përdoren nga Sektori i Edukimit si dhe u shqyrtua mundësia që përmes UST-së dhe akademikëve të mund të bëhen testime periodike për ngarkesat fizike të futbollistëve.

Kjo me qëllim që në bazë të të dhënave të performancës, të arrihet gjenerimi i një raporti individual për çdo lojtar, shoqëruar në vazhdim me udhëzimet dhe rekomandimet përkatëse që mund të çojnë drejt përmirësimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat