Genc Sermaxhaj: Politika e gabuar në futbollin e Kosovës! E turpshme ajo që ndodhi në Turqi

Futboll

Genc Sermaxhaj: Politika e gabuar në futbollin e Kosovës! E turpshme ajo që ndodhi në Turqi

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 21 janar 2023 Në ora: 18:58
Genc Sermaxhaj

Superkupa e Kosovës sot u zhvillua në Belek të Antalisë por fatkeqësisht nuk e ka pasur shijen ashtu siç pritej për faktin se munguan tifozët.

Një finale pa shikues nuk e ka edhe kënaqësinë edhe për vet aktorët në fushën e lojës.

Ballkani i Therandës, kampion në fuqi, duke iu falënderuar golit të Lumbardh Dellovës, e mposhti me rezultat minimal 1:0 Llapin.

Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, tregon se a është veprim i duhur apo jo që finalja e Superkupës së Kosovës, u zhvillua në tokën turke.

Pse sipas tij, është politikë e gabuar e klubeve tona? 

A duhet të ndiqet modeli kroat përkatësisht i dy klubeve të famshme kroate, Dinamo dhe Hajduku, që kultivojnë dhe shesin lojtarë në tregun e jashtëm?

Sermaxhaj tregon se cili është më afër titullit të kampionit të Kosovës, Drita apo Ballkani dhe a ndihen të rrezikuar Prishtina dhe Gjilani për largim nga elita. 

Po ashtu flet për investimet e klubeve tona, a janë të qëlluara apo të gabuara që çojnë drejt falimentimit.

“Bota sot”: Sot u zhvillua Superkupa e Kosovës mes Ballkanit dhe Llapit, në fushën në Belek të Antalisë në Turqi. Një ndeshje e mirë por pa shikues, a ka kuptim të luhet një Kupë pa shikues dhe larg Kosovës?

Genc Sermaxhaj: Meqë kjo ndeshje e Superkupës është luajtur dhe më parë në tokën turke, nënkupton që klubet nuk i kushtojnë vëmendje të madhe dhe e konsiderojnë si një ndeshje kontrolluese. 

Në Kosovë kemi dy stadiume shumë të mira si ‘Fadil Vokrri’ e ‘Zahir Pajaziti’ që mundësojnë ambient e zhvillim më të mirë për lojë se sa ajo në të cilën u luajt kjo finale. 

Nëse kushtet atmosferike tek ne janë më të ftohta, kjo lojë ka mundur të ndërroj datën që të luhet më vonë. 

Nëse arsyeja është që të jenë më afër menaxherëve, është mendim i gabuar, sepse po deshën ndonjë lojtar, ndeshjet e Superligës nga menaxherët dhe ekipet turke mund t’i përcjellin edhe nga ekranet televizive apo edhe të jenë të pranishëm në stadiumet kosovare. 

Dhe gjithashtu ndeshja do duhej të luhej në Kosovë, për t’i respektuar tifozeritë e tyre që i mbështesin pa kushte për çdo ndeshje të sezonit. 

Dhe natyrisht që kjo finale do të ishte më rivalizuese dhe do të ishte tamam finale e jo lojë stërvitore me dy ngjyra. 

Gjithashtu ajo që ndodhi në fundin e ndeshjes ishte e turpshme nga të dy ekipet për sjelljet që treguan në një vend të huaj.
Po sigurisht që ka njollos sadopak futbollin tonë sepse një ndeshje e luajtur jashtë vendit tone kudo qoftë, përfaqëson të gjithë, prandaj sjellja e tillë është e keqe.

“Bota sot”: Jemi afër fillimit të pjesë së dytë të kampionatit, në garë për titull Drita dhe Ballkani. Drita me trajner të ri Arsim Thaçi, ndërsa Ballkani duket më i përforcuar për pjesën e dytë. Kujt i jep më shumë përparësi për titull?

Genc Sermaxhaj: Të dyja janë mirë. Janë cilësore dhe kane fituar respekt të madh në futbollin tonë.

I jap një përparësi Ballkanit sepse ka treguar nivel të lartë edhe në garat evropiane.

Po ashtu paraqitjet në sezonin vjeshtor i kishte të mira dhe mbase për një nuancë është para Dritës.

“Bota sot”: As Gjilani e as Prishtina nuk e kanë qetësinë, nuk janë larg zonës së rrezikut (8 pikë) përkatësisht pozitës së 9-të. Cila skuadër e ka më së vështiri, për të shpëtuar nga largimi prej elitës?

Genc Sermaxhaj: Edhe Gjilani edhe Prishtina do t’i shpëtojnë rënies dhe nuk do ta vënë veten në rrezik. Kanë ekipe që do të përpiqen të kapin Evropën.

“Bota sot”: Klubet po përforcohen, po investojnë shumë në lojtar të huaj, por disa po ballafaqohen me kriza të pagave, si e sheh këtë politikë, veprim i mençur apo sot për nesër?

Genc Sermaxhaj: Sot për nesër sigurisht.

Kjo është temë e gjerë dhe kërkon më shumë elaborim.

Por asnjë klub kosovar nuk ka ndonjë plan kohor afatgjatë, dhe kjo është politika e gabuar në futbollin tonë që përcillet pastaj me dorëheqje, shkarkime, kriza, pakënaqësi etj, etj.

“Bota sot”: Dinamo e Zagrebit dhe Hajduku i Splitit, zbulojnë e formojnë talente, dhe nga shitja e ndonjëri prej tyre në shtetet evropiane përfitojnë edhe miliona euro dhe madje e mbajnë edhe klubin. A duhet ta ndjekin këtë politikë klubet tona apo vetëm të investojnë në lojtarët mbi moshën 25-vjeçare? 

Genc Sermaxhaj: Mbase ne do duhet të ndjekim atë model zhvillimi.

Klubet të kenë me shumë vëmendje tek të rinjtë dhe zhvillimi i tyre. Dhe çdo gjë tjetër është e gabuar që dërgon në falimentim. 

“Bota sot”. Si e sheh stinorin pranveror, me rritje të cilësisë dhe shikueshmërisë apo ngjashëm si në vjeshtë?

Genc Sermaxhaj: Mund të jetë ngjashëm. Cilësi në ngritje ka vetëm ekipi i Ballkanit. Të tjerat janë aty ku kanë qenë. Prandaj do të jetë ngjashëm por gjithsesi interesant..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat