Tirana fiton ndaj Kastriotit, ndalet Vllaznia

Futboll

Tirana fiton ndaj Kastriotit, ndalet Vllaznia

Më: 19 shkurt 2023 Në ora: 15:14
Tirana

Tirana fitoi minimalisht 0-1 në transfertë ndaj Kastriotit. Bardheblutë e trajnerit Orges Shehi rikthehen te suksesi pas humbjes në Shkodër me Vllazninë, teksa autori i golit ishte Dijar Nikqi në minutat shtesë të pjesës së dytë.

Sa i takon sfidës, në minutën e 13-të, edhe me ndihmën e VAR, kryeqytetasit fituan një penallti teksa nga pika e bardhë Florent Hasani gaboi.

Sulmuesi u “hipnotizua” nga portieri Sali që kuptoi krahun dhe shpëtoi skuadrën e tij nga goli. Në vijim të dyja skuadrat kërkuan me ngulm golin por pa mundur të konkretizonin në portat respektive.

Të dyja ekipet mbetën me 10 vetë pasi në të 80-tën, me Çelën që i vendosi duart në fyt Hasanin me sherrin që përfshiu të dyja kampet. Çela dhe Aleksi dolën me të kuq me rezultatin që ndryshoi më pas në fund falë golit të Nikqit.

Pas kësaj ndeshje, Tirana ruan kryesimin me 40 pikë ndërsa nga ana tjetër, Kastrioti mbetet në vendin e fundit me 21 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Vllaznia ngec në një barazim pa gola në transfertë ndaj Egnatias.

Pas triumfit me Tiranën, shkodranët nuk ia dolën të ruajnë vazhdimësinë dhe në Rrogozhinë nuk mundën të konkretizonin ndërsa vendasit patën gjithashtu mundësi për të fituar teksa Jackson u ndal nga shtylla.

Në fund, kuqeblutë duhet të kënaqen me një pikë teksa ruajnë vendin e tretë me 35 pikë ndërsa Egnatia mban vendin e katërt me 31 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat