Këshilli për Sport: Jemi duke i trajtuar dyshimet mbi kurdisje të ndeshjeve

Futboll

Këshilli për Sport: Jemi duke i trajtuar dyshimet mbi kurdisje të ndeshjeve

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 14:24
Topi

Këshilli Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive ka reaguar pas raportimeve në mediat elektronike në Kosovë, të cilat i referohen shkrimeve të disa mediumeve franceze, në të cilat flitet për kurdisjet e disa ndeshjeve të Superligës së futbollit të Kosovës.

“Këshilli Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, ashtu siç e ka njoftuar opinionin edhe me prononcimet e më hershme, ka kërkuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.

Me kërkesën e Këshillit për Sport, prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media”, thuhet në reagimin e këtij këshilli të cilin e ka shpërndarë për media MKRS-ja.

Tutje në reagim, ky Këshill ka theksuar se meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit “ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive”.

Mediat prestigjioze franceze “Le Figaro” dhe “Le Parisien” raportuan mbrëmë për skandalin e kurdisjeve të ndeshjeve të Superligës së Kosovës.

Sipas raportimit, në hetimin e kryer nga autoritetet franceze për ndeshjet e manipuluara janë vënë baste si në Kosovë ashtu edhe në Francë.

Lidhur me këtë rast, sipas mediave franceze, janë arrestuar nëntë persona, prej tyre katër nga Kosova.

Klubi i Llapit është përmendur nga mediat franceze si pjesë e këtij skandali.

Megjithatë, klubi llapjan sot në mëngjes nëpërmjet një kumtese ka mohuar të gjitha pretendimet për përfshirje në këtë skandal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat