Mikhitarian motivon Interin

Futboll

Mikhitarian motivon Interin

Më: 16 mars 2023 Në ora: 23:36
Mikhitarian

Me ndeshjen e së mar tës në mbrëmje ndaj Portos, Henrik Mikhitarian ka shkuar në 50 ndeshje në Champions League, duke u bërë armeni i parë që mbërrin një shifër të tillë në këtë kompeticion.

Mesfushori e ka mbërritur këtë numër jo si një lojtar i zakonshëm, por si një nga protagonistët kryesorë të Interit dhe një nga të besuarit e trajnerit Inzagi.

Për kanalin e klubit, 34-vjeçari ka treguar dje të gjitha përjetimet, duke e nisur me atë që përjetoi në “Dragao”, ku doza e emocioneve për të dhe shokët e tij të skuadrës ishte e lartë.

“Ishim nisur drejt Portugalisë të vetëdijshëm për atë që na priste, për vështirësinë që do të na servirte Porto dhe për cilësinë e skuadrës që do të gjenim.

Kishim në favorin tonë rezultatin e ndeshjes së parë dhe nuk donim ta shpërdoronim, ndaj i kishim qëllimet e qarta.

Mund të kishim bërë më mirë në fazën sulmuese, por në prapavijë ishim perfektë”, analizoi Mikhitarian 90 minutat me luzitanët.

GRUPI – Kompaktësia e dhomave të zhveshjes së Interit është vendosur jo pak herë në dyshim, mbi të gjitha pas episodeve që janë parë në fushë mes lojtarëve dhe humbjes së fundit ndaj Specias.

Pavarësisht kësaj, për Mikhitarianin nuk ka asgjë të tillë, madje tregoi se grupi i bashkuar është çelësi i këtij grupi:

“Kur luajmë njëri për tjetrin, sigurisht që do të mbërrijë rezultati. Grupi i bashkuar është sekreti ynë.

E rëndësishme është të mësojmë nga gabimet tona, të luajmë mirë dhe të bëjmë maksimumin.

Në ndeshje si ajo me Porton nuk ka nevojë për motivim të shtuar, janë përballje që janë stimuluese dhe ne japim gjithmonë më të mirën në këto raste. Tani duhet ta aplikojmë këtë edhe në sfidat e tjera”.

Të mbërrijmë në fund të kompeticionit? Po, mundemi dhe gjithmonë duhet të ëndërrojmë.

Është një mundësi shumë e mirë, Interi nuk arrinte në çerekfinale prej kaq shumë kohësh.

Të mos harrojmë ama që duhet të jemi gjithmonë të fortë mendërisht , pasi na presin dy ndeshje shumë të vështira në këtë fazë, por do të bëjmë çdo gjë për të vazhduar përpara”, tregoi mesfushori, pa i fshehur pritshmëritë e zikaltërve për Champions-in.

Ndërsa foli për ndeshjet e radhës, sigurisht që Mikhitarian nuk mund të shmangte përballjen e së dielës me Juventusin: “Ne shpresojmë që kualifikimi të na japë një shtysë më shumë dhe të bëjmë mirë në të gjitha ndeshjet që do të vijnë. [E radhës është ajo ndaj Juves, do të përgatitemi mirë, por jemi të karikuar. Duam të fitojmë përpara tifozëve tanë dhe do të bëjmë çdo gjë për këtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat