Dzeko: Të gjithë të bashkuar

Futboll

Dzeko: Të gjithë të bashkuar

Më: 6 prill 2023 Në ora: 14:18
Dzeko

“Të gjithë të bashkuar”, ka qenë mesazhi i Edin Dzeko që nisi titullar ndeshjen me Juventusin, një mesazh uniteti që erdhi jo vetëm pasi nuk arritën të mposhtin bardhezinjtë, por edhe pas episodit që përfshiu Romelu Lukakun.

“Gjithmonë”, ishte përgjigjja e Havier Zanetit ndaj postimit të boshnjakut, që për “Arena Sport”, ka treguar edhe një herë rrugëtimin e tij në futbollin profesionist. Duke e nisur historinë nga viti 2007, kur ai u largua nga Bosnja për t’u transferuar në Gjermani, në Wolfsburg.

“Debutova për kombëtaren kundër Turqisë nën drejtimin e trajnerit Fuad Muzuroviç dhe shënova një gol. Pas tri ditësh luajtëm kundër Maltës, dhurova një asist, por u lëndova. Më pas fluturova në Zagreb për të nënshkruar me Volfsburgun ku gjeta Magatin, një trajner pa të cilin nuk do të kishim fituar Bundesligën. Ai ka personalitet, me të duhet të heshtësh dhe të punosh.

Pastaj u transferova te Mançester Siti, sepse doja të shihja se në çfarë niveli isha, nëse mund të luaja me lojtarët më të mirë në botë. Vetëm në Premier League mund ta merrja atë përgjigje dhe aty me Mançinin si trajner fitova 5-6 trofe. Nuk kisha marrëdhënie të mira me Pelegrinin dhe mbërriti më pas Roma.

Italia ka qenë gjithmonë ëndrra ime, sepse lojtarët më të mirë kanë luajtur në Serinë A, pastaj doja të mësoja edhe gjuhën. Kur mbërrita në aeroport më pritën pesë mijë tifozë, nuk ishte e vështirë të përshtatesha.

Ishte edhe Pjaniç që më lehtësoi integrimin”, tregoi sulmuesi që zbuloi edhe rëndësinë e transferimit tek Interi.

“Ishte e vështirë për mua të largohesha nga kryeqyteti pas gjashtë vitesh.

Por kishte një lloj ngopjeje. Ne bëmë gjëra të mira së bashku, shënova 119 gola, por ishte koha për një ndryshim.

Ndjeva se mund të luaja ende në një nivel të lartë dhe ende t’i jepja diçka futbollit.

Tani jam këtu dhe dua të fitoj me këtë fanellë”, përfundoi boshnjaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat