Xheko: Jemi më të fortë se Milani

Futboll

Xheko: Jemi më të fortë se Milani

Më: 5 maj 2023 Në ora: 11:08
Xheko

Në tabelën e golashënuesve të Serisë A emri i tij mungonte prej 4 janarit, kur i vetëm i shkaktoi Napolit humbjen e parë në kampionat.

Edin Xheko u rikthye të shënojë 119 ditë më vonë në kampionat (kishte shënuar edhe ndaj Milanit në Superkupë më 18 janar), në momentin më kritik të sezonit dhe të Interit.

Dopieta e tij në “Bentegodi”, ishte jo vetëm një çlirim për të dhe një kontribut i vyer në rezultatin tenistik të Interit ndaj Veronës, por shërbeu edhe për t’i siguruar boshnjakut një tjetër arrije të rëndësishme në karrierën e tij.

Dygolëshi e dërgoi në 400 gola në karrierë 37-vjeçarin, duke llogaritur këtu ato me klubet dhe kombëtaren, një rekord personal, të cilin vetë lojtari e festoi me një postim në profilin e tij zyrtar në “Instagram”.

“Nuk ka nevojë për fjalë”, ishte komenti po poshtë fotos së Xhekos, që tregonte numrin e golave të shënuar me secilin prej klubeve, nga 4 golat e tij të parë me Zeljeznicar, te 30 të fundit me Interin.

Mes tyre pa dyshim që bie në sy eksperienca me Romën, që ka qenë klubi që ka shijuar më shumë gola të Xhekos (119), e përveç të tjerave do të jetë edhe kundërshtari i radhës i sulmuesit, që do të rikthehet nesër në “Olimpiko”. Në intervistën e lëshuar për kanalin e klubit, numri 9 zikaltër ka folur për momentin personal, atë të Interit dhe për atë që pret nga ky fundsezoni.

Me sigurinë e një njeriu që e di se ka kontribuar shumë për skuadrat e tij, Xheko e komentoi kështu thatësirën e tij katër mujore.

“Sigurisht që goli më mungonte, por unë golat më të rëndësishëm të mitë i kam shënuar tashmë. Kështu që nuk vuaj kur nuk shënoj, edhe pse sigurisht që për një sulmues është shumë e rëndësishme, por unë përpiqem të mos i shikoj shumë statistikat”.

Ashtu si janë shprehur gjithë protagonistët e tjerë zikaltër, edhe për Xhekon mbërritja e këtij momenti të Interit ka qenë çështje kohe.

“Ne kemi dhuruar gjithmonë paraqitjet e duhura në fushë dhe sigurisht që goli ka qenë çështje kohe për të mbërritur. Duhet të ruanim qetësinë, sepse sigurisht që të gjithë sulmuesve u ndodh që të mos e gjejnë golin. E rëndësishme është që skuadra të jetë në formën e duhur dhe tashmë e kemi arritur këtë”.

KALENDARI – “Që nga sot (dje) mendojmë vetëm për sfidën ndaj Romës, ku do të bëjmë një tjetër paraqitje të madhe”, u shpreh Xheko për seritë e ndeshjeve që i presin zikaltrit duke vazhduar:

“Çdo ndeshje që vjen është shumë e rëndësishme.

Ato që kanë ngelur vlejnë kualifikimin në Champions, finalen e Stambollit dhe Kupën e Italisë.

Milani është i fortë, por ne jemi shumë të fortë dhe kemi besim te vetja dhe te ky grup. Jemi të ndërgjegjshëm për forcën tonë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat