Onana: Bëjmë histori, kam lindur për të qenë hero

Futboll

Onana: Bëjmë histori, kam lindur për të qenë hero

Më: 11 maj 2023 Në ora: 23:07
Onana

Andre Onana ishte ndër të paktët lojtarë në fushë mbrëmjen e djeshme që e kishte provuar më herët shijen e një gjysmëfinaleje të Champions League, falë eksperiencës së tij tek Ajaksi.

Portieri zikaltër tregoi për mikrofonat e klubit që ai dhe Xheko e kishin ndarë përvojën me shokët e tjerë të skuadrës duke u përpjekur të udhëheqin në 90 minutat e para ndaj Milanit.

“Sigurisht që unë dhe Xheko e ndamë gjithë eksperiencën tonë me skuadrën, pasi jemi këtu edhe për këtë, jo vetëm për të ndihmuar ekipin në fushë.

Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, ku padyshim duhej çdo grimcë ndihme që mund të merrnim”, e ka nisur fjalën e tij kamerunasi duke u ndalur më vonë edhe të përjetimi personal i sfidës.

“Sfida dhe atmosfera të tilla më entuziazmojnë tepër, madje mendoj se jo vetëm mua, por të gjithë ata që janë lojtarë të mëdhenj.

Për të luajtur tek Interi duhet shumë personalitet. ‘San Siro’ është një stadium që peshon shumë dhe jam i lumtur që dhamë në fushë përgjigjet që priteshin.

Janë sfida që të motivojnë, mezi e kishim pritur këtë sfidë, si unë ashtu edhe të gjithë djemtë. E dinim që ishim në një moment të mirë dhe kishim shumë besim, mjaftonte të bënim atë që na kishte kërkuar trajneri”. Në fund 27-vjeçari foli edhe për rëndësinë e kualifikimit, për të cilin duhen gjithsesi edhe 90 minuta.

“Unë kam lindur për të qenë hero dhe jam gati të jem i tillë për Interin gjithmonë. Në histori mbahet mend ai që ka fituar dhe jo humbësit dhe ne do të përpiqemi ta mbërrijmë atë.

Jemi shumë të kënaqur për paraqitjen e sotme dhe të gjithë do të bëjmë gjithçka për ta vulosur kualifikimin ndeshjen e ardhshme, edhe pse e dimë që nuk ka mbaruar ende”, përfundoi Onana.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat