Pesë vjet pa legjendën e futbollit, Fadil Vokrrin

Futboll

Pesë vjet pa legjendën e futbollit, Fadil Vokrrin

Më: 9 qershor 2023 Në ora: 07:49
Fadil Vokrri

Sot bëhen pesë vjet pas ndarjes nga jeta të legjendës shqiptare të futbollit Fadil Vokrri. Ai ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë.

Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola.

Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si kryetar i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate.

Mëngjesin e 9 qershorit të vitit 2018, ndërsa po ushtronte në palestër Vokrri pësoi një sulm në zemër dhe ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat