Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së: Ky program rrit futbollin shqiptar!

Futboll

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së: Ky program rrit futbollin shqiptar!

Më: 24 qershor 2023 Në ora: 12:58
Ilir Shulku

Trajnimi i 116 mësuesve të edukimit fizik nga e gjithë Shqipëria, në kuadër të programit ‘Futbolli për Shkollat’ përfundoi me sukses.

Tashmë 116 mësuesit e trajnuar nga FIFA janë gati për të vënë në jetë një nga projektet më të mëdha që pritet të transformojë dhe të rrisë akoma edhe më shumë futbollin shqiptar.

Qëllimi kryesor i programit ‘Futbolli për Shkollat’, një bashkëpunim i frytshëm mes FSHF-së dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i mbështetur nga FIFA, është identifikimi dhe mbështetja e fëmijëve nga mosha 8-14 vjeç dhe familjeve të tyre si edhe njëkohësisht identifikimi i talenteve të reja.

Në ditën e tretë të seminarit, që ishte sot, të gjithë mësuesit e edukimit fizik vunë në zbatim të gjithë njohuritë e marra gjatë këtyre ditëve, duke trajnuar rreth 200 fëmijë në një festival të vërtetë futbolli.

Këtë festival e ndoqën nga afër edhe tre përfaqësuesit e FIFA-s, të cilët kanë shpjeguar për 116 mësuesit se si do të funksionojë ky program, ndërsa të pranishëm ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, si edhe Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha.

Në fjalën e tij të rastit, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku e cilësoi si ditë të veçantë këtë të premte të 23 qershorit, ku 116 mësues përmbyllën me sukses trajnimin e tyre dhe tashmë janë gati për të nisur nga puna në shkolla dhe të realizojnë këtë program. Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi se Federata e Futbollit do të jetë në mbështetje të programit ‘Futbolli për Shkollat’, ndërsa vlerësoi edhe bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

“Sot është një ditë e veçantë, duke parë që përmbyllim trajnimin e 116 mësuesve të shkollave 9 vjeçare, të cilët janë pjesë e programit madhor të Federatës Shqiptare të Futbollit, “Futbolli për Shkolla”.

Një program, që vjen si rrjedhojë e bashkëpunimit shumë të mirë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit me mbështetjen e FIFA-s.

Në emër të Federatës duhet t’ju shpreh mirënjohje për mbështetjen e madhe për dërgimin përpara të këtij programi që do të transformojë dhe rrisë akoma më shumë futbollin shqiptar” – tha Sekretari i Përgjithshëm, ndërsa nënvizoi edhe efektet pozitive që do të sjellë ky program i ri për të gjithë fëmijët.

Ndërkaq, Sekretari Shulku i bëri një thirrje edhe të gjitha klubeve të hedhin sytë nga shkollat, për të thithur sa më shumë talente në akademitë e tyre.

“Federata e Futbollit e ka pasur dhe e ka në themel të strategjisë së saj “Futbolli për Kombin 2025” përfshirjen e futbollit në programin shkollor në të gjithë vendin dhe ky program do të rrisë dhe masivizojë më shumë futbollin tonë.

Është shumë e rëndësishme që fëmijët e këtij vendi të përfshihen në futboll, të luajnë këtë lojë magjike që padiskutim do t’i bëjë nesër qytetarë më të mirë, më të shëndetshëm dhe pa diskutim prej këtyre mijëra djemve dhe vajzave do të kemi yjet e ardhshëm të futbollit tonë.

Unë shfrytëzoj këtë event për t’i bërë thirrje edhe klubeve për t’i parë me kujdes klasat e futbollit në të gjithë vendin si një mënyrë e shkëlqyer për të thithur talente për akademitë e tyre” – tha Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, i cili në fund dha edhe një mesazh për 116 mësuesit e trajnuar nga FIFA.

Të dashur mësues që keni përfituar nga ky trajnim traditor që përmbyllim sot, dua t’ju them se ju jeni thelbësorë në zhvillimin e këtij program që kemi nisur.

Me dashurinë dhe pasionin tuaj ju do t’i jepni jetë këtij projekti dhe do t’i ndihmoni fëmijët me punën në grup nëpërmjet lojës magjike të futbollit.

Në mbyllje të fjalës time, dëshiroj të theksoj se kjo është vetëm faza e parë e këtij projekti të cilin ne do ta shtrijmë në të gjithë territorin e vendit” – tha Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku në fjalën e tij.

Ndërkaq, Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha falënderoi në fjalën e tij të rastit FSHF-në dhe FIFA-n për bashkëpunimin dhe vënien në jetë të këtij programi kaq të rëndësishëm për fëmijët shqiptarë. “Është një kënaqësi e veçantë dhe jam shumë i lumtur që gjendem këtu me ju, për t’ju falënderuar për këtë projekt, të cilin po e realizojmë përmes FSHF-së, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe FIFA-s. Falënderoj Presidentin e Federatës së Futbollit, i cili është i gatshëm dhe së bashku me stafin ia kanë dalë që kjo marrëveshje mes FSHF-së dhe MAS-së, me mbështetjen e FIFA-s të realizohet në mënyrë të shkëlqyer.

Ju uroj shumë suksese, shpresoj që ju të jepni zemrën tuaj dhe pasionin e dëshirën, duke pasur në mendje që këta fëmijë nesër do të jenë e ardhmja.Dua të falënderoj edhe FIFA-n që ka bërë të mundur uniformat dhe bazën materiale, mundësimin e këtij projekti. Familjet shqiptare nuk do të paguajnë asgjë dhe kjo është një vlerë e shtuar. Vlen të falënderohet FIFA, Federata e Futbollit dhe ju. Faleminderit dhe shpresoj që ky projekt të jetë në vazhdim” – përfundoi zëvendësministri Endrit Hoxha.

Edhe përfaqësuesi i FIFA-s, Antonio Buenaño Sánchez, i cili është edhe menaxheri i këtij projekti shprehu falënderimet e tij për të gjithë mësuesit e trajnuar, fëmijët, e në veçanti për FSHF-në dhe MAS, për bashkëpunimin dhe punën e shkëlqyer përgjatë këtyre muajve.

“Do të doja të shprehja falënderimet e mia për prezencën tuaj ditën e sotme për lançimin e programit ‘Futbolli për shkollat’.

Një falënderim i veçantë shkon për punën e shkëlqyer që është bërë nga ekipi i FSHF-së gjatë muajve të fundit dhe pa mbështetjen dhe përkushtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ky event nuk do të ishte e mundur sot. Projekti ‘Futbolli për Shkollat’ ka të bëjë me futbollin dhe është një program që mund të ndryshojë jetë dhe mund të fuqizojë fëmijët në të gjithë botën.

Ky program sjell promovimin e vlerave në edukim dhe në zhvillim, duke promovuar edhe një qasje pozitive dhe entuziaste. Sot është hapi i parë i kësaj maratone dhe nga sot e tutje ne do të kemi mundësi të punojmë së bashku për të mirën e fëmijëve tanë.

Do të doja t’ju inkurajoja që të vazhdoni të punoni dhe të bëni maksimumin tuaj për të sjellë së bashku këtë instrument të shkëlqyer dhe të ndihmojmë fëmijët në mënyrën më të mirë të mundshme që ekziston që është edukimi i një cilësie të lartë. Faleminderit” – përfundoi menaxheri i projektit ‘Futbolli për Shkollat’.

Programi i ‘Futbollit për Shkolla’ synon të ndihmojë në zhvillimin pozitiv të aftësive fizike dhe një jete më të shëndetshme të fëmijëve dhe nxënësve; të ndihmojë në krijimin e besimit në vetvete dhe disiplinës tek fëmijët dhe të rinjtë; të ndikojë në rritjen e bashkëveprimit social dhe minimizimit të individualizmit; të ndihmojë në përmirësimin e performancës në procesin e të mësuarit; të promovojë e të zhvillojë praktika gjithëpërfshirëse për nxënësit me aftësi ndryshe; të promovojë dhe shpërndajë kulturën e mundësive të barabarta, duke mbështetur pjesëmarrjen e vajzave, në të gjithë nivelet e praktikës së tyre sportive si edhe të promovojë e të implementojë një edukatë të pastër sportive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat