Presdienti i FFK-së, Agim Ademi uron Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë

Futboll

Presdienti i FFK-së, Agim Ademi uron Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 11:51
Agim Ademi

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka ururar Ditën Botërore të Gazetarëve Sportivë.

FFK gjithmonë ka qenë e hapur dhe e afërt për gazetarët sportivë.

Të njëjtën rrugë do ta ndjekë edhe në të ardhmen, duke i ndihmuar ata që të jenë afër Kombëtares së Kosovës kudo që ajo paraqitet, thuhet ne urimin e Kryetarit të FFK-së.

"Mesazh urimi i presidentit Agim Ademi për Ditën Botërore të Gazetarëve Sportivë

Të dashur gazetarë sportivë,

Sot e festoni Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, andaj në këtë ditë të veçantë, dua të shpreh urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, me shpresë që të keni sa më shumë suksese në rrugën tuaj profesionale.

Futbolli është pika që na bashkon dhe me të cilin sport, ashtu sikurse ne, edhe ju jeni krenarë. Së bashku kemi punuar dhe kontribuar në mënyrë që futbolli të arrijë në nivelin e sotëm dhe të ketë paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare.

Megjithatë, ne e dimë që kjo nuk është mjaftueshme, por kjo na inkurajon të punojmë edhe më shumë për të çuar futbollin në nivele të reja.

Gazetarët sportivë dhe mediat kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sportit më të popullarizuar në vendin tonë. Prandaj, ju inkurajoj të shprehni të gjitha emocionet e kësaj loje dhe të përhapni çdo gjë që është në interes të publikut dhe që njëkohësisht e ndihmon rritjen e futbollit. Ju jeni ndërmjetësit e shkëlqyeshëm që e lidhin futbollin me opinionin gjithëpërfshirës.

Sikurse në çdo fushë tjetër të shoqërisë, edhe në mediat sportive shpesh futbolli është sulmuar padrejtësisht, duke i dhënë hapësira individëve pa kredibilitet e që nuk përfaqësojnë vlerat e këtij sporti.

Kritikat qëllimmira nga njerëz me autoritet janë të mirëpritura dhe na ndihmojnë që të rritemi tutje. Prandaj, jemi gjithmonë të hapur dhe vlerësojmë kritikat konstruktive dhe reflektuese, të cilat na mundësojnë që të përmirësohemi.

Ju ftoj që gjithmonë të jeni lavdues dhe inkurajues për punën e mirë që bëjmë dhe gjithmonë realist e kritikues për punën jo të mirë, por asnjëherë si takon medias sportive të jetë propaganduese!

Ashtu sikurse futbolli, edhe gazetaria sportive ka evoluar me kohën dhe me ndryshimet e rrethanave. Sot, ka shumë televizione dhe portale që i japin një hapësirë të madhe futbollit, duke e ndihmuar atë të zhvillohet edhe më tej.

Ky progres është i mirëpritur për lojën magjike të futbollit, pasi e bën atë më të afërt me publikun.

Nuk duhet të harrojmë faktin se gazetaria sportive në Kosovë ka prodhuar emra të shquar, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në informimin e opinionit, jo vetëm në nivel vendor, por edhe në atë ndërkombëtar, lidhur me zhvillimin e futbollit në Kosovë, që nga vitet e vështira të okupimit e deri më sot.

Duke iu shprehur falënderime të sinqerta gjithsecilit prej jush për punën e palodhshme, ju uroj edhe një herë Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë.

Shpresoj që bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të rritet në të njëjtën kohë me sukseset tona", uron Agim Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat