Kombëtarja shqiptare zyrtarizon dy miqësoret me Zvicrën

Futboll

Kombëtarja shqiptare zyrtarizon dy miqësoret me Zvicrën

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 11:25
Kombëtarja shqiptare

Kombëtarja shqiptare e Futsallit do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me Zvicrën në muajin shtator, dy teste mjaft të rëndësishme për procesin e rinovimit të skuadrës dhe përgatitjeve për impenjimet e ardhshme zyrtare të kuqezinjve.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se është arritur një marrëveshje me Federatën Zvicerane të Futbollit që këto ndeshje të zhvillohen në datat 14 dhe 15 shtator në Tiranë, me të dyja sfidat që do të luhen në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në kryeqytet.

Këto miqësore do t’i japin mundësi trajnerit të Kombëtares së Futsallit, Erind Resuli dhe stafit teknik, që të provojnë lojtarët e rinj dhe të kolaudojnë ekipin para impenjimeve të ardhshme në kompeticione zyrtare.

Në muajin qershor Kombëtarja shqiptare e futsallit luajti dy miqësore ndaj Malit të Zi me të dyja sfidat që u luajtën në transfertë, duke regjistruar dy barazime. Përveç rezultatit stafi teknik u shfaq shumë i kënaqur me provat dhe paraqitjen e lojtarëve të rinj të grumbulluar për këto sfida.

Pjesa më e madhe e lojtarëve që do të testohen për këto miqësore do të jenë të rinj dhe kjo është një mundësi për të përgatitur skuadrën për të ardhmen dhe për të integruar lojtarët e rinj gradualisht me ekipin.

Përveç miqësoreve të shtatorit, po diskutohet sakaq me Federatën Malazeze për të zhvilluar edhe miqësore të tjera në muajt në vazhdim, ndërkohë që po shikohen mundësitë për të marrë pjesë edhe në turne të tjerë ndërkombëtarë.

Stafi teknik synon që nga këto miqësore të zbulohen sa më shumë elementë të rinj, që mund të jenë të vlefshëm për Kombëtaren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat