Beckham tregon kur e mori vesh për Messin

Futboll

Beckham tregon kur e mori vesh për Messin

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 14:41
Beckham e Messi

“Ne thjesht mposhtëm të gjithë konkurrencën për të nënshkruar me futbollistin më të mirë që ka ekzistuar ndonjëherë”. 

Një ndjenjë që mund të jetë shumë e ngjashme me atë kur shënoni golin e fitores për ekipin tuaj, ose një stadium si “Wembley”, më i rëndësishmi në vendin ku ka lindur, thërret në kor emrin e tij.

David Beckham kishte të njëjtën ndjesi, siç e pranoi në një intervistë të fundit me “The Athletic”, kur zbuloi se Leo Messi do të luante për skuadrën që zotëron. Një klub futbolli që ka tri vite jetë. Një moment historik që mund të shënojë një MLS para dhe pas Leo Messit.

Ylli argjentinas ka nënshkruar deri në dimrin e vitit 2025 me Inter Miami, por tashmë janë të shumtë ata që mendojnë se përmasat e këtij operacioni do ta kapërcejnë vetë Messin dhe se efekti goditës mund të arrijë deri në atë masë sa që padyshim mund të kompensojë dollarët sauditë, ofruar me “thasë” nga Arabia për shtatë herë fituesin e “Topit të Artë”.

Mjafton të vëzhgosh sesi u zhvillua debutimi i tij me fanellën rozë të Inter Miamit për të marrë një vështrim të së ardhmes që do të vijë. Pastaj dy gola dhe dy asiste në fitoren 4-0 ndaj Atlantës. “E kam pasur gjithmonë në mendje ta sillja Messin tek Inter Miami.

Nuk ka njeri më të mirë. Gjithçka lindi gjatë një bisede me partnerët e mi, José dhe Jorge Mas, ndërsa ne po pinim një gotë verë”, – pranon legjenda e Manchester United, teksa kujton se kontaktet e para me mjedisin e Messit ndodhën në vitin 2019, kur takoi Jorge Messin fshehurazi në Barcelonë për t’i thënë se “është ende herët, por do të donim ta kishim Leon në Miami”.

Vetë lojtari anglez shkoi në SHBA në vitin 2007, në moshën 32-vjeçare. Kishte nga ata që i thanë se po rrezikonte, se MLS nuk ishte vendi për të. Gjithsesi, Beckham shkoi te Los Angeles Galaxy. Dhe disi, britaniku mendon se karriera e tij futbollistike e ka ndihmuar Messin të bëjë hapin e fundit dhe të nënshkruajë për klubin e Floridas.

“Ai e pa këtë si një projekt, një trashëgimi dhe nuk mendoj se shumë lojtarë e shohin këtë. Ata shohin mundësinë për të luajtur në vende të ndryshme, por Leo pa që jo vetëm mund të ndryshonte fytyrën e futbollit në këtë vend, ai mund të frymëzojë brezin e ardhshëm dhe nuk ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë sesa në Miami, – nënvizoi Beckham, që kujton si e mori vesh se Messi pranoi ofertën e tij: – Isha në Japoni me familjen time dhe u zgjova në 5 të mëngjesit, sepse telefoni im nuk pushonte së vibruari. Victoria më tha: Na çmendi, fike telefonin! Vura syzet dhe i thashë: Leo po vjen”.

Është e pamundur të parashikohet efekti që mund të ketë zbarkimi i Messit në SHBA, ku hobi tradicionalisht është zhvendosur drejt disiplinave të tilla sportive si bejsbolli apo futbolli amerikan, tradita e të cilëve është përcjellë nga babai te fëmijët për breza. Megjithatë, me Messin, “grushti i shtetit” mund të jetë aq i rëndësishëm sa futbolli të bashkëjetojë me ato sporte të mëdha amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat