Partizani shkon me disa mungesa drejt Kazakistanit

Futboll

Partizani shkon me disa mungesa drejt Kazakistanit

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 23:38
Partizani

Pasditen e djeshme Partizani zhvilloi stërvitjen e radhës në shërbim të misionit për të kaluar Astanën dhe për të mbërritur në grupet e Ligës së Konferencës, çka do të ishte një arritje historike për të kuqtë.

Në orën 18:00 të gjithë lojtarët dhe stafi zbarkuan në fushën e lojës, pasi skuadrat e akademisë kishin përfunduar stërvitjet.

Pjesa e parë e seancës, si zakonisht u përqendrua në përgatitjen fizike, me lojtarët, që përveç vrapimeve iu nënshtruan edhe disa ushtrimeve të përgatitura nga ndihmësit e trajnerit Zekiç. Pas kësaj, kroati e ndau skuadrën në dy pjesë në dy gjysmat e fushës.

Në njërën anë mbrojtësit dhe mesfushorët kryesorë të ekipit qëndronin nën urdhrat e kroatit dhe lëviznin sipas udhëzimeve të trajnerit dhe në anën tjetër, sulmuesit punonin për mënyrën e daljes në sulm dhe goditjet drejt portës. Në këtë pjesë të seancës, Zekiç ishte shumë kërkues ndaj ekipit dhe vazhdimisht ndalonte lojtarë të caktuar për t’i kritikuar dhe për t’i udhëzuar mbi lëvizjet që duhej të bënin.

Nga ana tjetër e fushës, të vendosur në pozicione fikse, sulmuesit ishin në “gjueti” të kundërsulmeve dhe golit.

Pas një nisjeje jo fort të mirë, i pari që “theu akullin” ishte Tedi Cara me një parabolë plot klas, duke shënuar një gol shumë të bukur. Më pas golat erdhën në seri, pas aksioneve të rrjedhshme, ku gabimet në pasime ishin rreptësishtë të ndaluara. Gjithashtu u provuan edhe goditjet jashtë zonës, një tjetër aspekt, ku disa prej lojtarëve të Partizanit mund të përfitojnë.

MUNGESAT – Kristian Mba nuk ia ka dalë të rikuperohet për sfidën e së enjtes ndaj Astanës.

Sulmuesi pësoi një problem muskulor në ndeshjen e parë ndaj Valmierës dhe mungoi në sfidën e kthimit si dhe në miqësoren ndaj Romës.

Pavarësisht përpjekjeve për të arritur të rikuperohet për sfidën e së enjtes, nigeriani nuk ia ka dalë dhe do të duhet të qëndrojë jashtë për këtë sfidë. Mba nuk është i vetmi, pasi as Atanaskoski nuk do të mund të luajë për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve.

Gjithashtu, Mensah dhe Semebene janë të dëmtuar dhe nuk llogariten për këtë ndeshje. Edhe Da Silva do të jetë jashtë.

FORMACIONI – Sa i përket formacionit, Zekiç pritet të bëjë një modifikim në mbrojtje. Hadroj mund të luajë në të majtë dhe Zekolli të pozicionohet në të djathtë, duke mbuluar kështu mungesën e Atanaskoskit. Mesfusha nuk ndryshon, teksa Taipi pritet të vendoset pas shpinës së dyshes së sulmit Cara-Grezda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat