De Laurentiis ndihet i “prerë në besë

Futboll

De Laurentiis ndihet i “prerë në besë

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 13:06
De Laurentiis

Emërimi i Luciano Spallettit si komisioneri i ri teknik i Italisë ka hapur një humnerë në marrëdhëniet mes Aurelio De Laurentiis dhe trajnerit toskan. Javët e fundit në skenë kanë dalë lamtumira me Napolin dhe arsyet e dhëna nga presidentit i kampionëve blu.

Një “divorc” jo tamam i qetë, i kompletuar me përfshirjen e një klauzole me vlerë rreth 3 milionë eurove në favor të napolitanëve nëse Spalletti vendos të rikthehet më herët në stol, pa bërë një vit pushim, sikurse kishte marrë zotim.

Në një intervistë dhënë për “Il Foglio”, numri një i Napolit iu rikthye polemikave. De Laurentiis nënvizoi përmbajtjen e përballjes që sanksionoi shkarkimin e Spallettit nga kampionët e Italisë: “Më tha: Jam shumë i lodhur, më duhet një periudhë pushimi për të punuar tokën. Kështu që e lashë të largohej, por çfarë kalonte në kokën e tij e di vetëm ai”.

Siç u përmend, tani po bën zhurmë klauzola që Napoli kërkon të respektohet pas emërimit të Spallettit në krye të kombëtares italiane. Kjo nënkupton 3 milionë euro në arkat e Napolit, sepse trajneri toskan është kthyer në stol, duke mos repsketuar marrëveshjen për një vit pushim absolut. “Avokatët po e diskutojnë dhe unë nuk po ndërhyj”, – u kufizua të përgjigjej De Laurentiis.

Me vendimin e FIGC për t’ia besuar stolin italian Spallettit, pas dorëheqjes së Roberto Mancinit, thelbi i çështjes është klauzola e futur nga Napoli për ta ‘liruar’ trajnerin para kontratës së nënshkruar deri në vitin 2025 me klubin blu.

De Laurentiis e la Spallettin të largohej 2 vite para skadimit të marrëveshjes, duke respektuar vullnetin e tij, por me kushtin që kushdo që do të donte ta punësonte do të duhej të paguante jo më pak se 3 milionë euro në arkat e napolitanëve. 

Zero kompromise, njoftime zyrtare për shtyp dhe tension shumë i lartë. Për momentin, si do t’i vejë fati klauzolës në fjalë është enigmë e pazgjidhur.

De Laurentiis megjithatë përfiton nga rasti për të rezervuar fjalë shumë të ëmbla për Napolin e tij: “Napoli as nuk më vë në gjumë, as nuk më dhemb.

Më puth. Dhe e adhuroj. Imazhi më i bukur është kur largohem në det, e shoh gjithnjë e më të largët dhe kam përshtypjen se më përqafon.

Tranzicioni nga kinemaja në futboll nuk ishte as i vështirë, as traumatik, por interesant. Dhe kur gjërat janë interesante bëhen më të lehta.

Pata fatin ta kaloja rrugën time në një familje që më lejoi të njoh të gjithë përbërësit e futbollit, sektorin audioviziv të industrisë, për t’u bërë sipërmarrës i guximshëm. Ndaj, kur mora Napolin, u binda se do t’i mësoja shpejt mekanizmat e rinj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat