Zekiç: Gjithçka është e mundur, duhet të shënojmë të parët

Futboll

Zekiç: Gjithçka është e mundur, duhet të shënojmë të parët

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 12:20
Zoran Zekiç

Partizani i dha dorën e fundit përgatitjeve në prag të sfidës së kthimit në play off e Conference League, që mund t’i japë biletën historike për në fazën e grupeve të turneut.

Kampionët e Shqipërisë do të luajnë në orën 20:00 kundër Astanës, ndërsa duhet të përmbysin humbjen 1-0 të ndeshjes së parë. Këtë e di mirë Zoran Zekiç, që beson te suksesi.

“Nuk janë të rëndësishëm emrat dhe sistemi, janë të gjitha, por mbi të gjitha është energjia dhe nëse beson, gjithçka është e mundur. Jam i sigurt që nesër do kemi mbështetjen e tifozëve.

Do të luajmë për Partizanin dhe futbollin shqiptar dhe duhet të jemi të qartë rreth kësaj dhe të jemi më të përqëndruar”

Përveç shpirtit të garës, Partizanit i duhen edhe gola për të vazhduar aventurën e tij europiane.

“Do të mundohemi të mos pësojmë por edhe të shënojmë, pasi duhet të kemi më shumë mundësi për pasime të fundit dhe gjuajtjen në portë. Për ta bërë këtë duhet të luajmë me më shumë besim. Kur shënon në fillim i jep më shumë forcë skuadrës dhe duhet të luajmë si kolektiv, si ekip”

Sulmi i Partizanit do të ketë detyrën më të rëndësishme në këtë sfidë. Cara është i padiskutueshëm, ndërsa në krahë të tij Grezda gradohet si titullar. Kristian Mba nuk është rikuperuar plotësisht, por gati për t’u aktivizuar nëse do të jetë e nevojshme.

Një rikthim tjetër i rëndësishëm është ai i Atanaskovskit, ndërsa Zekiç i është shtuar një tjetër problem në mesfushë, pas dëmtimit të Mehmetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat