Salah qëndron në Angli

Futboll

Salah qëndron në Angli

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 13:34
Salah

Historia e transferimit të Mohamed Salahut te Al-Itihadi thuhet se ka përfunduar.

Sulmuesi i Liverpulit ishte objektivi kryesor i kampionëve të Arabisë Saudite, që ofruan deri në 215 milionë paund bashkë me bonuset për transferimin e 31-vjeçarit.

Por me mbylljen e merkatos ditën e djeshme në Arabi, operacioni më i shtrenjtë ndonjëherë në historinë e futbollit dështoi pas rezistencës së “Reds”-ave, por edhe dëshirës së futbollistit për të respektuar 2 vitet e mbetura të kontratës së tij në “Anfield Road”.

Sipas “Foot Mercato”, egjiptiani tani do të qëndrojë në Liverpul dhe nuk do të bëjë një lëvizje në Lindjen e Mesme këtë verë. Lajmi vjen si muzikë në veshët e trajnerit Jyrgen Klop, i cili ka qenë i dëshpëruar për të mbajtur golashënuesin e pestë më të mirë të historisë së klubit.

OPERACIONI – Liverpulit iu ofruan mbrëmjen e së hënës 215 milionë paund për sulmuesin. Përfaqësuesit e Al-Itihadit fluturuan në Londër gjatë fundjavës për të bërë një goditje të fundit në merkato, ndërsa kishin javë të tëra që ndiqnin me shumë interes yllin e Liverpulit, i cili është konsideruar gjithnjë i pashitshëm nga klubi. Ata bënë fillimisht një ofertë 100 milionë paund plus 50 milionë bonuset, e cila u refuzua pa asnjë hezitim nga Liverpuli.

Por, të hënën ata u rikthyen me ofertën e përmirësuar 170 milionë paund, ndërsa bashkë me bonuset ajo do të arrinte vlerën e 215 milionë paundëve, duke vendosur rekordin e ri botëror të shitjes së një futbollisti (do të thyente rekordin e transferimit të Nejmarit te PSG-ja 222 milionë euro). Salahut iu ofruan 2.45 milionë paund në javë rrogë, plus bonuse të tjera.

Ai u tundua me një përqindje të madhe të shitjeve të fanellave, një bonus prej 55.000 paundësh për fitore si dhe role ambasadoriale për të paktën tri kompani të mëdha saudite gjatë kohëzgjatjes së kontratës së tij 5-vjeçare. Arabët e humbën raundin e parë, por tani mund të përqendrohen në përgatitjen e një oferte të re kur të nisë merkatoja e janarit..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat