Nisin bisedimet, Nagelsmann favorit

Futboll

Nisin bisedimet, Nagelsmann favorit

Më: 15 shtator 2023 Në ora: 13:35
Nagelsmann

Julian Nagelsmann duket se është favoriti kryesor për pozitën e përzgjedhësit te Kombëtarja e Gjermanisë.

Katër herë kampionët e botës janë pa trajner, pasi ditë më parë shkarkuan Hansi Flick shkaku i rezultateve të dobëta.

Federata gjermane thuhet se e konsideron ish-trajnerin e Bayern Munichut si kandidatin e tyre numër një, veçanërisht pasi Jurgen Klopp konfirmoi se ai do të qëndrojë i përkushtuar ndaj Liverpoolit.

Me bisedimet në vazhdim, 36-vjeçari thuhet se është i lumtur për t’u bërë trajner i Kombëtares, veçanërisht pasi Kampionatin Evropian “Euro 2024” do të mbahet në shtëpinë e tyre.

Bayerni ende paguan Nagelsmannin, të cilin e shkarkoi në mars të këtij viti dhe thuhet se kampioni gjerman do të ishte i gatshëm ta lejojë largimin e tij pa marrë asnjë kompensim, vetëm për ta hequr nga lista e pagave.

Megjithatë, një çështje e mundshme kur bëhet fjalë për një marrëveshje totale mund të vijë te financat.

Nagelsmann aktualisht po fiton rreth 6.5 milionë euro në vit nga kontrata e tij para-ekzistuese me Bayernin.

Thjesht, DFB nuk mund t’i ofrojë atij një gjë të tillë pasi Hansi Flick dhe ndihmësit e tij, Danny Rohl e Marcus Sorg, do të jenë në listën e pagave deri në Kampionatin Evropian shkaku i kontratës.

Pastaj mbetet të shihet nëse 36-vjeçari mund të jetë i hapur për të pranuar një ulje të pagës, për të marrë drejtimin e Kombëtares së shtetit të tij.

Nëse Nagelsmann bëhet trajneri i ri i Gjermanisë, Hannes Wolf ose Sandro Wagner mund të bëhen ndihmësit e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat