Krasniqi e Hilaj: Marrim rezultate të mira po luajtëm si ndaj Hungarisë

Futboll

Krasniqi e Hilaj: Marrim rezultate të mira po luajtëm si ndaj Hungarisë

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 13:31
Shqipëria

Pika e marrë me Hungarinë në ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve për vajza shikohet pozitive për Kombëtaren kuqezi të vajzave.

Në takimin e luajtur në “Loro Boriçi, që përfundoi 1:1, për Shqipërinë ishin në fushë edhe Alma Hilaj dhe Qëndresa Krasniqi. Kjo e fundit shënoi edhe golin për Shqipërinë e vajzave. Ajo mendon se meritonin edhe fitoren kundër Hungarisë, me lojën që bënë.

Fillimisht për fshf.org foli Hilaj: “Po, jemi të kënaqura me rezultatin. Besoj se bëmë një lojë shumë të mirë dhe vërtetuam që kemi mundësi të arrijmë edhe më shumë. Absolutisht, nuk jemi një skuadër që nënvlerësohemi. I dimë fuqitë tona dhe e dimë që mund të arrijmë rezultate shumë të mirë po luajtëm si skuadër”.

Mbrojtësja kuqezi është optimiste para ndeshjes me Irlandën e Veriut, ndërkohë që komenton edhe mbështetjen e tifozëve në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.  “Unë besoj se nëse hyjmë në fushë si këtë herë, të luajmë si këtë ndeshje, do arrijmë një rezultat të mirë. Prania e tifozëve në stadium? Është bukur të kesh shumë ndjekës në stadium, është shumë e rëndësishme. U lutemi që të vijnë edhe ndeshje të tjera, pse jo”, përfundoi Hilaj.

Autorja e golit, Qëndresa Krasniqi, u shfaq e emocionuar pas ndeshjes me Hungarinë. “Jam shumë e lumtur për golin. Dhamë maksimumin, të gjitha të bashkuara, dhamë shumë për këtë ndeshje dhe besoj se e merituam edhe fitoren, por ky është futbolli”, tha fillimisht sulmuesja kuqezi.

“Objektivi është të dalim të parat në këtë grup. Besoj se me punë, disiplinë, angazhim, të gjitha të bashkuara besoj do t’ia dalim. Normalisht ishte ndeshja e parë.

Pjesën e parë dhamë gjithçka që mundëm.

Edhe pjesa e dytë shkoi mirë, pësuam një gol në rrëmujë. Besoj se do e kalojmë këtë pjesë dhe në ndeshje të tjera do japim maksimumin për të fituar”.

Ndaj Hungarisë munguan Franja dhe Hamifi dhe Krasniqi pret që vajzat kuqezi të kthehen sa më shpejt dhe të ndihmojnë skuadrën në vazhdimin e garës në Ligën e Kombëve për vajza. “Besoj që ndikuan shumë mungesat, pasi të dyja ishin lojtare të formacionit. Besoj se për ndeshjen e ardhshme do rikthehen të na ndihmojnë, që të arrijmë objektivat tona”.

Në fund Qëndresa Krasniqi foli për golin e shënuar dhe lëshoi edhe një mesazh për tifozët e Kombëtares.  

“Golin ia dedikoj familjes time. Tifozët në stadium? I Falënderoj të gjithë për mbështetjen që na dhanë dhe u bëj thirrje të vijnë të na përkrahin, pasi kemi shumë nevojë për mbështetjen e tifozëve”, mbylli prononcimin saj Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat