Muça: Tirana? Nuk mund të biesh në këto nivele, Dinamo duhet rindërtuar

Futboll

Muça: Tirana? Nuk mund të biesh në këto nivele, Dinamo duhet rindërtuar

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 11:49
Muça

“Vllaznisë i duhet kohë, Egnatia skuadër e formuar, fitore e merituar e Partizanit, Tirana nën nivel, Dinamo duhet rindërtuar”. Edhe në këtë javë të pestë të Superiores në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH nuk ka munguar analiza e të përhershmit Shkëlqim Muça,

Egnatia, skuadër e formuar - “Egnatia tashmë është një skuadër e formuar mirë, ka lojtarë cilësorë. Është një skuadër që disa ndeshje i fiton me shumë lehtësi, ka autoritet në fushë. Është e çuditshme që kaq shpejt, brenda dy viteve ndërtohet një skuadër e tillë me autoritet. Laçi na paraqitet një skuadër interesante, me lojtarë të rinj, por që kanë të ardhme”.

Tiranë e dobët - “Që në fillim ishte e dukshme që Erzeni ishte me 120%. Përveç golit, shijakasit kishin dhe mundësi të tjera. Tirana nuk u ngrit asnjëherë në nivelin e saj, kjo dhe për meritë të Erzenit. Ishte një Tiranë e dobët, ndoshta jo vetëm e këtij sezoni. Mendoj se nuk duhet të luajnë në atë fushë. Unë do preferoja të luaja në Elbasan apo diku tjetër.

Një skuadër që pretendon për titull, nuk duhet të biesh në këto nivele, ishte një nivel i ulët”.

Fitore e merituar e Partizanit – “Fitore e merituar, pavarësisht se Dinamo bëri maksimumin, sidomos në pjesën e parë. Partizani ka një gjë që nuk bie asnjëherë nën mesatare. Ata që luajnë japin maksimumin.

Trajneri e ka në dorë skuadrën. Nëse të gjithë arrijnë formën e duhur, bëhet një skuadër më e fortë. Dinamon e shikoj në vendet e fundit, ka limite si skuadër, duhet rindërtuar”.

Vllaznisë i duhet kohë – “Vllaznia ka cilësi, por mendoj se i duhet kohë.

Gruda mendoj se duhet të luajë prapa sulmuesit dhe jo në krah të majtë. Në krah luan shumë mirë Mala.Teutën e shikoj në vështirësi, e pakolauduar. Ka lojtarë të rinj, me potencial të mirë, por duket një skuadër e pabalancuar”.

Humbja e Skënderbeut – “Luan dhe nuk shënon, ndërsa skuadra tjetër të godet me një gol. Skënderbeu nuk duhet të mërzitet, ndodh edhe kështu, ky është futbolli. Kukësi arriti të fitojë, por përsëri është në një situatë të vështirë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat