Fajtori është Kylian Mbappe

Futboll

Fajtori është Kylian Mbappe

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 13:05
Mbappe

Fillimi i sezonit të Kylian Mbappesë, pavarësisht se shifrat e tij (8 gola në 11 ndeshje) janë të pakontestueshme, ka ndezur kritikat e para në Francë.

Të dielën e kaluar, gazeta “L’Équipe” tregoi se kapiteni i skuadrës franceze nuk ishte në nivelin e tij më të mirë fizik dhe se po paguante pasojat e dënimit që PSG i vendosi në verë, pasi kishte njoftuar, përmes një letre, se nuk ishte i gatshëm të rinovonte kontratën deri në vitin 2025.

Pas disfatës së rëndë ndaj Newcastle këtë të mërkurë (4-1), gazeta franceze vuri në dukje se paraqitje e sulmuesit francez ishte ndër më të këqijat e karrierës së tij.

I vlerësuar me notën e dytë më të dobët, “L’Équipe” thekson se pjesa e tij e parë “ishte zhgënjyese”, përveçse nënvizon se “është shumë e rrallë” ta shohësh të luajë këtë lloj ndeshjeje.

“I vendosur në qendër të sulmit, edhe pse kaloi edhe në krah, pjesa e tij e parë ishte shumë zhgënjyese. Përveç një krosi për Dembélénë (5′) dhe një tjetër (45+5’) në kohën shtesë, ai nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm.

Ndoshta ngaqë nuk po i mbërrinin topat, i kërkoi shumë poshtë, por edhe nuk ofroi shumë zgjidhje, si për shembull të provonte pasime mes linjave, që nuk realizuan. Një goditje e devijuar (85′) dhe një pasim i mirë për Vitinhan (86′). Shumë pak për të,” shpjegon L’Équipe.

Në ndeshjen e parë të Championsit, kundër Dortmundit, Mbappe nuk u ndje mirë. Shënoi penalltinë 1-0, por në asnjë moment shokët e tij nuk i ofruan avantazhe.

Pa Messin dhe Neymarin, që ishin lojtarët që e furnizonin pafundësisht me topa, skuadra ka ndryshuar shumë dhe tani duhet të gjejë sinergji dhe automatizma me lloje të tjera profilesh, si Kolo Muani ose Gonçalo Ramos.

Dëmtimi që pësoi në kyçin e këmbës së majtë kundër Marsejës, dy javë më parë, mund të ketë ngadalësuar kapjen e formës. Që atëherë, Mbappé nuk ka shkëlqyer kundër Clermont, të shtunën e kaluar, apo kundër Newcastle, këtë të mërkurë.

Kamerat e RMC Sport, pas humbjes 4-1 në Newcastle, e kapën Mbappenë të shtangur, të befasuar, sikur rivali i tij të ishte një tren që kishte shkatërruar gjithçka që kalonte përpara.

Ka pak kohë për të reaguar, skuadra pariziene udhëton drejt Rennes këtë të diel, në një ndeshje mjaft të vështirë, e cila duhet t’i shërbejë skuadrës, përfshirë Mbappenë, për të shuar dyshimet.

PSG e ka nisur keq Ligue 1, duke grumbulluar 12 pikë nga 21 të mundshme. Ka marrë vetëm një fitore jashtë shtëpisë. Një ecuri mjaft e dobët për një ekip që ka shpenzuar 350 milionë në merkaton e fundit.

Kapiteni i skuadrës franceze, i cili nuk ka dhënë asnjë sinjal për rinovimin e kontratës, do të duhet të bëjë një hap përpara në një stadium ku ekipi i tij nuk ka fituar në tri vizitat e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat