Dy ndeshje pa Levandovskin

Futboll

Dy ndeshje pa Levandovskin

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 17:09
Pamje nga një ndeshje

Si kryesuese e Grupit E, Shqipëria e ka vetë fatin e saj në dorë në përpjekje për të arritur finalet e evropianit të Gjermanisë. Megjithatë, një sy e vesh do të jetë edhe nga ndeshjet e rivalëve, sidomos nëse ndeshja e kuqezinjve kundër Çekisë nuk shkon sipas dëshirës.

Moldavia e vendit të tretë nuk luan të enjten, ndërsa Polonia do të luajë në Ishujt Faroe, në të njëjtën orë me ndeshjen Shqipëri-Çeki. Polakët duken jashtë loje pas humbjes me Shqipërinë, kanë vetëm gjashtë pikë, por shpresat janë ende gjallë dhe para kanë dy ndeshje ku, të paktën në letër, konsiderohen dukshëm favoritë. Pas vizitës në Ishujt Faroe ata presin Moldavinë.

Ishujt Faroe mban vendin fundit në grup, me vetëm një pikë, të siguruar nga barazimi 1-1 me Moldavinë.

Për polakët, tashmë nën drejtimin e trajnerit Mihal Probierz, fitorja është detyrim, ashtu si dhe me Moldavinë më pas. Megjithatë, problemet nuk kanë përfunduar ende për Poloninë, së cilës do t’i mungojë kapiteni Robert Levandovski.

Sulmuesi veteran u dëmtua në ndeshjen e Barcelonës kundër Portos dhe nuk dihet se kur do të kthehet. Deri tani, Polonia ka shënuar gjashtë gola në pesë ndeshje dhe gjysma e tyre mban firmën e Levandovskit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat