Kapllani: Shqipëria ka përqafuar filozofinë e Sylvinhos

Futboll

Kapllani: Shqipëria ka përqafuar filozofinë e Sylvinhos

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 12:05
Kapllani

Edmond Kapllani mban rekordin e pesë golave të shënuar me Kombëtaren brenda një fushate kualifikuese.

Ish-sulmuesi durrsak i përfaqësueses shprehet se mezi po e pret ekipin e Silvinjos të vijë në Gjermani, aty ku ka kaluar gjysmën e jetës së tij. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, Kapllani jep opinionet e tij në lidhje me ndeshjen e mbrëmjes së sotme ndaj Çekisë.

Si e keni parë punën e Silvinjos në ndryshim nga trajneri i parë. Një lojë më sulmuese dhe ju keni qenë sulmues…

Unë e kam thënë dhe më parë, që parimet dhe filozofia e tij e kanë paraqitur shumë mirë këtë skuadër, e cila po i përgjigjet mjaft mirë. Mua më pëlqen edhe mënyra se si dalin në sulm, mënyra se si mbrohen.

Janë një ekip i ngjeshur, një ekip shumë i shkurtër dhe kjo ka bërë që ne të jemi të suksesshëm për momentin. Kështu që unë e shoh shumë mirë si Silvinjon dhe ekipin tonë kombëtar.

Në sulm nuk është se kanë shkëlqyer sulmuesit, mos ndoshta ka qenë skema që i ka penalizuar, sepse edhe golat i kanë shënuar Asllani, Bajrami, Asani?

Parimet që ai ka për lojën, ekipi kombëtar është munduar t’i përqafojë. Mënyra e lojës së tij është e ndryshme. Lojtarët e krahut janë çelësi i suksesit për ekipin tonë kombëtar.

Sulmuesi nuk duhet të jetë gjithnjë i humbur, duhet të ketë edhe raste të tjera, por mënyra e lojës së Silvinjos sikur e penalizon pak sulmuesin e qendrës sepse ai është i detyruar të rrijë me dy mbrojtësit e qendrës së kundërshtarit dhe dy sulmuesit e krahut mundohen të jenë të rrezikshëm ose nga linja e dytë siç është Asllani apo Bajrami. Kjo pra është ajo filozofia e lojës, që ka penalizuar pak sulmuesin e qendrës.

Por unë mendoj që do të ketë edhe ndeshje, ku do të jenë sulmuesit që do ta vendosin, siç ishte ajo me Poloninë, në të cilën sulmuesi Daku u fut brenda dhe bëri golin, një supergol!

Ju jetoni në Gjermani, a po përgatiteni për një ardhje të Kombëtares aty?

Mezi po i pres, mezi po i pres. Është kënaqësi. Kam luajtur shumë vite me Kombëtaren, 10 ose më shumë se 10 vjet ndoshta dhe nuk kemi luajtur asnjëherë kundër Gjermanisë si në kualifikuese apo ndeshje miqësore.

Dhe kjo do të jetë një kënaqësi e madhe që Kombëtarja të luajë dhe do të prezantohet në Gjermani, aty ku unë kam kaluar gjysmën e jetës sime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat