Tronditje në grumbullimin e Italisë

Futboll

Tronditje në grumbullimin e Italisë

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 10:27
Sandro Tonali dhe Nikolo Zaniolo

Çështja “Nikolo Fax hioli” duket se ka shkundur fort futbollin italian dhe tashmë hetimi i nisur pritet që të zgjerohet në një horizont më të gjerë, siç konfirmoi edhe ditën e djeshme, mësymja e policisë në grumbullimin e kombëtares së futbollit të Italisë.

Përfaqësues të forcave të rendit kanë mbërritur pasditen e djeshme në qendrën stërvitore të përfaqësueses “axurre” dhe kanë thirrur në apel Sandro Tonalin dhe Nikolo Zaniolon.

Mesa duket, nga hetimi i nisur nga Prokuroria e Torinos, e cila ka individualizuar më shumë se 10.000 uebsajte të basteve ilegale, shumë prej të cilave kanë rënë në dorë të policisë, janë zbuluar se pjesë e atyre që luanin në to, duke fshehur në mënyrë direkte taksat ndaj shtetit, janë jo vetëm Nikolo Faxholi i Juventusit, por edhe dy futbollistë të tjerë të përfaqësueses italiane, Sandro Tonali, aktualisht në radhët e anglezëve të Njukasëllit dhe Nikolo Zaniolo, pjesë e Aston Vilës, tjetër klubi të Premier Ligës.

Zbarkimi i policisë në Koverçano ka habitur shumë prej të pranishmëve, por edhe opinionin publik, duke qenë se zbarkimi i më shumë se 10 patrullave policie në qendrën stërvitore të kombëtares së Italisë përben jo një lajm të vogël. Ai që ka pritur i pari forcat e rendit ka qenë shefi i delegacionit “axurr”, Xhanluixhi Bufon, i cili ka shprehur të gjithë bashkëpunimin e tij dhe duke i shoqëruar ligjzbatuesit që përballë Tonalit e Zaniolos, me të cilët biseda ka qenë jo pak e gjatë, pasi mesa duket edhe ata janë të implikuar dhe nga dje hetohen zyrtarisht për baste ilegale.

Denoncimi e ka bërë sërish fotografi i famshëm italian, Fabricio Korona, pas së cilit policia është vënë menjëherë në lëvizje dhe pasi ka folur me dy lojtarët e kombëtares, si Tonali ashtu sikurse Zaniolo kanë lënë grumbullimin dhe nuk dihet nëse do të mund të kthehen dhe të jenë në dispozicion për sfidën e të shtunës me Maltën dhe mbi të gjitha atë të 17 tetorit kundër Anglisë, në “Uembli”. Diçka e tillë prish shumë plane të trajnerit Spaleti, por çështja e bastvënies ilegale ka marrë një rëndësi shumë të veçantë në Itali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat