Abazaj: Ka ardhur koha që unë të shënoj në derbi

Futboll

Abazaj: Ka ardhur koha që unë të shënoj në derbi

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 14:37
Abazaj

Tirana vazhdon me përgatitjet për derbin me Partizanin, që do të luhet ditën e nesërme në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”.

Sulmuesi i bardhebluve, Kristal Abazaj u shpreh se atmosfera në skuadër është e mirë dhe se gjithashtu mendon se ka ardhur koha që ai të shënojë në derbi.

“Ka qenë një situatë jo e mirë deri diku sepse kemi pasur shumë oshilacione në ndeshjen me Laçin dhe atë me Erzenin.

Arritëm të merrnim një trepikësh në ndeshjen me Vllazninë dhe besoj atmosfera e çdo gjë tjetër në ekip është kthyer në favorin tonë. Sa i përket derbit besoj se e kemi përgatitur mjaft mirë, atmosfera është super. Ia lëmë fushës të flasë nesër.

Koha për të shënuar në derbi? Po besoj se ka ardhur momenti, pasi kam kaluar një ngërç edhe psikologjik le të themi, sepse janë diku te 7-8 ndeshje për të shënuar gol. Por për këtë gjë nuk jam aspak nën presion dhe shpresoj që nesër të shënoj.

Presion te rezultati? Aspak. Situata është mjaft e mirë. Ne jemi të gjithë lojtarë me eksperiencë dhe e dimë rëndësinë e derbit. Sa i përket presionit mund të them që është në krahun tonë.
Siç dihet lojtari i 12-të i Tiranës është tifozeria, e cila është fantastike dhe shpresoj që edhe nesër të jenë aty e të na mbështesin.

Pozicioni im dhe roli im, ku kam luajtur gjatë gjithë karrierës time ka qenë sulmues krahu, i djathtë, i majtë. Tani jam sulmues qendre. Trajneri mendon se aty jam përshtatur mirë, por si të jetë. Dhe në krah dhe në qendër, ku të ketë nevojë ekipi do të përpiqem që të jap më të mirën”, u shpreh Abazaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat