Dumfur: Të shtunën ia dalim me tifozët, e mundim Vllazninë

Futboll

Dumfur: Të shtunën ia dalim me tifozët, e mundim Vllazninë

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 17:46
Randi Dumfur

Skënderbeu është gati të lërë pas humbjen e fundit ndaj Laçit, duke u përqendruar tërësisht te ndeshja me Vllazninë, e cila për korçarët vlen shumë për ta mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e parë të kampionatit. 

Për mbrojtësin ganez, Randi Dumfur, kjo ndeshje është e një rëndësie të veçantë, pasi ekipi vjen pas një humbjeje dhe reagimi është ai që ka shumë rëndësi për të treguar shpirtin e garës.

“Vijmë pas një humbjeje që për mendimin tim nuk ka qenë e merituar në ndeshjen ndaj Laçit, pasi kemi pasur rastet tona për t’i dhënë atij takimi një rrjedhë tjetër. Kjo është ajo që mund të veçojmë nga ai takim.

Por, është një humbje që ne e kemi lënë pas krahëve dhe jemi të përqendruar te ndeshja e radhës në kampionat. Është ndeshja e fundit e fazës së parë dhe normalisht ka rëndësinë e vet për disa arsye.

Së pari, ne vijmë nga një rezultat negativ dhe duhet të tregojmë se dimë të reagojmë.

Nga ana tjetër, luajmë përballë Vllaznisë dhe ndeshjet e tilla janë një stimul më shumë për ne. Do të jemi të gatshëm për të bërë maksimumin dhe jam i bindur se me mbështetjen e tifozëve, mund t’ia dalim”, ka thënë fillimisht mbrojtësi ganez për “Panorama Sport”.

KAMPIONATI Më tej, Randi u ndal edhe tek ecuria e deritanishme e Skënderbeut në kampionat. Për të, ekipi ka grumbulluar 12 pikë, aq sa çdokush në fillim të sezonit do të firmoste për këtë arritje.

“Jemi në kuotën e 12 pikëve në tetë javë kampionat dhe duke parë mënyrën se si ne i kemi marrë këto pikë dhe vështirësinë e këtij sezoni, mendoj se jemi brenda pritshmërive. Duke parë kalendarin, jam i bindur që çdokush do të firmoste për 12 pikë në tetë javë, duke qenë se luanim 5 herë në transfertë dhe tri ndeshje në shtëpi. Normalisht, tani që i bëjmë një përmbledhje, na vjen keq, pasi mund të kishim edhe më shumë pikë. Por, të shohim përpara dhe të mendojmë për ndeshjen me Vllazninë”, mbylli prononcimin mbrojtësi i Skënderbeut.

Kujtojmë që në ndeshjen e së shtunës në Korçë, trajneri Gvozdenoviç do t’i ketë të gjithë lojtarët e gatshëm. Rikthim i rëndësishëm për formacionin bardhekuq është mbrojtësi i majtë, Klevis Shaqe, i cili ka shlyer pezullimin me kartonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat