Shala: Goli me Voskën më i bukuri në karrierë, në Strugë për fitore

Futboll

Shala: Goli me Voskën më i bukuri në karrierë, në Strugë për fitore

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 23:23
Shala

Shkëndija pasditen e sotme ka mbyllur seancën e parafundit stërvitore para ndeshjes me Struga Trim&Lum që luhet të dielën në kuadër të xhiros së 13-të në Maqedoni. 

Ekipi ka punuar mirë dhe brenda grupit ndjehet dëshirë e bindje për të treguar në derbi se Shkëndija është ekipi që meriton vendin e parë. 

“Të them të drejtën këtë javë jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe i kemi marrë të gjitha masat.

Ne e dimë mirë se këto dy barazimet e fundit nuk janë pritur mirë nga tifozët tanë, mirëpo edhe asnjëri nga ne nuk është i kënaqur me këto dy barazime. Kemi dhënë maksimumin dhe kemi shpresuar të nxirnim rezultate sa më pozitive, pasi saherë që futemi në ndeshje ne hyjmë për të marrë maksimumin, të marrim tre pikët”, shprehet Adenis Shala, i cili beson se skuadra ka potencialin të kthejë gjërat në rrugë të mbarë, posaçërisht tani kur para vetes kemi derbin me rivalin për kreun e tabelës.

“Tani kjo ndeshja me Strugën vjen në momentin e duhur, sepse mendoj se do të jetë një ndeshje që do të tregojë se ne me të vërtetë kemi kualitet dhe unë besoj shumë te kjo skuadër që kemi. Mendoj se nëse secili nga ne do të japë 100% nga vetja, ne do të fitojmë ndeshjen në Strugë”,beson Shala. 

25 vjeçari duket në element në moment të duhur, pasi mungoi gati dy muaj shkaku i dëmtimit në fillim të kampionatit. 

“Realisht pas atij lëndimi kam kaluar kohë të vështirë duke qëndruar një kohë të gjatë jashta fushës. Vërtet për një sportist është e vështirë dhe këtë e din vetëm ai që e ka përjetuar atë.

Mirëpo tash jam i lumtur që u ktheva.

Më e rëndësishme është që ne ti fitojmë ndeshje, nuk ka rëndësi kush shënon apo asiston. Grupi është në vend të parë dhe rëndësi ka suksesi i ekipit”, thotë sulmuesi anësor. 

Pavarësisht se kërkon kolektivin ta vë mbi individët dhe shpreh mërzinë për dy barazimet 1:1 me Breran dhe Voskën, ku pikërisht ai shënonte golat për kuqezinjtë, Shala pranon se ajo perlë të dielën e shkuar ishte më e bukura e prodhuar nga ai. 

“Mendoj se goli me Voskën është goli më i bukur që kam bërë deri tani në karrierë”, përfundoi Shala. 

Kuqezinjtë të shtunën do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore, derisa pasdite udhëtojnë drejt Strugës për të pritur sa më të pushuar duelin e të dielës me Strugën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat