Mehmeti sfidon Kukësin

Futboll

Mehmeti sfidon Kukësin

Më: 4 nëntor 2023 Në ora: 18:27
Mehmeti

Dy ndeshje katër pikë, një ecuri pozitive e Dritan Mehmetit në stolin e Dinamo City-t, me teknikun që mori detyrën e trajnerit në kohën kur ekipi  vuante mungesën e rezultateve.

Përpara takimit ndaj Kukësit, në konferencën për shtyp, Mehmeti u shpreh i kënaqur për pikët, ndërsa duhet pak kohë që lojtarët të marrin idetë e tij.

“Sa i përket pikëve të marra në dy ndeshjet e fundit, jam shumë i kënaqur.

Por duhet pak kohë që të kemi një automatizim të veprimeve dhe sinkronizim të ideve të mia dhe djemtë sa më shpejt të arrijnë të përshtaten që të kapin formën e tyre individuale por edhe në grup dhe të arrijmë paraqitjen siç i takon klubit ”.

Dinamo City do të luajë në një transfertë të vështirë ndaj Kukësit. Pavarësisht humbjes së fundit ndaj Egnatias, Kukësi po kalon një moment të mirë nën drejtimin e Stavri Nicës dhe për këtë Mehmeti kërkon nga lojtarët e tij që kundërshtari të respektohet

“Në këtë kampionat, përveç dy apo tre skuadrave që kanë më tepër elementë që bëjnë diferencën, pjesa tjetër e ekipeve kanë shumë pak dallime. Këtë e vërteton edhe Kukësi që ne e respektojmë, pasi ka elementë mjaft cilësor.

E ka treguar jo vetëm me rezultate, por edhe me lojëra të mira. Mendoj se çdo ndeshje është një betejë në vete dhe është e paparashikueshme. Shkalla e vështirësisë nesër në Kukës është e dukshme, megjithatë ne do të bëjmë maksimumin dhe gjithçka për të arritur objektivin që ka skuadra”.

Dritan Mehmeti foli edhe për mungesat që skuadra e tij do të këtë në këtë përballje.

“Kemi pasur shumë probleme me mungesat. Dihet mungesa e Danajt për 6 muaj. Kemi mungesën e Patrik Bardhit, Smaçit dhe Gudjabi, që është bërë i rëndësishëm për skuadrën.

Gjithsesi, kam besim tek i gjithë grupi. Nëse ne do të mendojmë për ata që mungojnë, atëherë e kemi humbur betejën. E gjithë skuadra ka vlera. Do të bëjmë maksimumin, pasi punojmë në grup dhe shpresoj të mos i ndjejmë mungesat”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat