Ish - trajneri i Ramadanit: Nuk ka frikë nga askush

Futboll

Ish - trajneri i Ramadanit: Nuk ka frikë nga askush

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 11:07
Foto ilustrim

Ylber Ramadani ka lindur në Gjermani, por karrierën si futbollist e nisi në Kosovë. Ishte ende një adoleshent kur u bë pjesë e skuadrës së parë të Ferizajt, moment që Arsim Abazi e kujton me emocione.

Ish-trajneri i Ferizajt ka folur rreth “luftëtarit” të kombëtares shqiptare dhe Lecces në Serie A, në një rrëfim për shtypin italian. Interi po e moniton me kujdes mesfushorin dhe Abazaj, i cili e njeh që herët, është i sigurt se Ramadani është gati të hedhë hapin e madh.

“Isha trajner i Ferizajt kur e pashë Ylber Ramadanin për herë të parë. Ishte një djalë i qetë, më pëlqente si vraponte. Iu afrova dhe e pyeta nëse donte të bashkohej me ne.

Ai pranoi menjëherë dhe të nesërmen doli në stërvitje me skuadrën. Edhe pse ishte shumë i ri, vetëm 15-vjeçar, unë e bëra pjesë të skuadrës së parë.

Ylberi stërvitej me ne nga e hëna deri të premten. Të shtunën luante me skuadrën e të rinjve dhe të hënën rikthehej në stërvitje me ne.

Më pëlqente përkushtimi me të cilin stërvitej çdo ditë, por edhe profesionalizmi i tij. Punonte shumë, nuk humbiste asnjë seancë stërvitore. Punëtor i madh, ishte tepër i disiplinuar.

Njësoj ishte edhe në jetën private, ku ishte shumë i vëmendshëm dhe i rregullt. Ylberi mund të arrijë edhe më shumë se sa ka arritur deri tani: kjo dallohet edhe në kombëtaren shqiptare.

Si edhe me Leccen, ku është ndër më të mirët e skuadrës. Rrugëtimi i tij justifikon interesimin e një klubi të madh si Interi. Unë kam besim të madh se ai mund të luajë pa probleme edhe në një skuadër të tillë.

Sepse Ylberi nuk ka frikë nga askush.

Siç e thashë, ai është shumë punëtor. Për këtë arsye mendoj dhe jam i sigurt se Ylber Ramadani është gati për një klub të madh europian”, theksoi Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat