​Rashkaj: Gliha nuk bëri punë të keqe, unë jam gati të kontribuojë për kombëtaren

Futboll

​Rashkaj: Gliha nuk bëri punë të keqe, unë jam gati të kontribuojë për kombëtaren

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 11:05
Foto ilustrim

Ish-futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Anel Rashkaj nuk e ka hedhur poshtë punën e bërë nga trajneri Primoz Gliha në Kombëtaren e Kosovës.

Ai vlerëson se slloveni ishte një trajner i guximshëm dhe se rezultatet e arritura ishin të favorshme për atë.

Rashkaj: Gliha nuk ka bërë punë të keqe në krye të kombëtares

“Të them të drejtën nuk është se ka bërë punë të keqe Gliha në ndeshjet që i ka pasur. I ka ftuar shumë lojtarët e Superligës, ka pasur guximin t’i inkuadrojë ata në lojë, ka pasur rezultate të favorshme, por mendoj që ka qenë shumë e çuditshme në kohën e fundit, deklaratat e tij që i ka bërë, kështu që ndoshta me këto deklarata e fundit që i ka bërë ai, situatën e ka bërë edhe më të keqe se sa ka qenë, kështu që pak çudi më ka ardhur me këto deklarata e tij kohëve të fundit sepse një trajner i kombëtares duhet të jetë pak më i qetë, më i kujdesshëm në deklaratat që i bënë.”, ka thënë Rashkaj.

Ish-kapiteni i Dardanëve, ka folur edhe për mosardhjen e disa lojtarëve për ndeshjen me Izraelin, duke thënë se kjo ishte një situatë e kuptueshme.

Rashkaj: Mosardhja e lojtarëve për sfidën me Izraelin ishte e kuptueshme

“Mos-ardhja e disa lojtarëve, sidomos në ndeshjen kundër Izraelit, ka qenë situatë pak e kuptueshme shkaku që, unë e di vet kur kemi luajtur në data që nuk kanë qenë të FIFA-së, ka qenë problem shumë i madh me klubet që kemi pasur atje. Edhe pse me ligj të UEFA-së, klubi duhet ta lirojë lojtarin, por në të njëjtën kohë unë e di që klubi mund t’i bëjë presion lojtarit që mos të vijë në kombëtare sepse ndoshta ndeshja nuk është aq e rëndësishme dhe në disa mënyra mundet edhe klubi t’i bëjë presion lojtarit që mos të vijë...Ndoshta Lille i ka bërë më shumë presion Edonit (Zhegrovës) që mos të vijë, ndoshta edhe Napoli i ka bërë Amirit (Rrahmanit) problem të vijë.”, theksoi Rashkaj.

Sipas Rashkajt, trajneri i ri i Kosovës duhet të përzgjidhet pas një analize të thellë, derisa e sheh Ilir Dajën si një alternativë serioze për ta pasuar Glihan.

Rashkaj: Përveç Ilir Dajës nuk shoh trajner vendor të gatshëm për Kosovën

“Duhet të analizohet thellë gjithçka nga fillimi deri në fund dhe pastaj të ulemi dhe ndoshta nuk kemi nevojë të ngutemi shumë sepse e dimë që ndoshta deri në shtator të vitit të ardhshëm nuk kemi ndeshje zyrtare dhe kjo bënë që ndoshta mund ta analizojmë situatën edhe më mirë dhe normal duhet të shohim se çfarë kemi bërë gabim, ku kemi dështuar dhe të mundohemi t’i mbulojmë ato gabime që i kemi pasur dhe në të njëjtën kohë të analizojmë për të ardhmen se çfarë na nevojitet, çfarë profili i trajnerit na nevojitet, çfarë i përshtatet këtij ekipi...Trajner vendor mendoj që për momentin nuk besoj që ka, përveç Ilir Dajës nëse e quajmë vendor që është te Ballkani. Ilir Daja mendoj që ka bërë një sukses shumë të mirë te Ballkani, po ashtu stili i lojës së tij më ka pëlqyer, por tani a është i mjaftueshëm për kombëtare, është e vështirë të të them sepse aty ka shumë emra që diskutohen.”, deklaroi Rashkaj.

Ai ka shprehur gatishmërinë e tij që të jap kontribut në zhvillimin e kombëtares, nëse Federata e Futbollit e sheh të nevojshme një gjë të tillë.

Rashkaj: Jam i gatshëm për kontribut te kombëtarja

“Sa më përket nga ana ime, normal që çdoherë kam qenë i hapur për kontribut në kombëtare dhe nuk i dihet në të ardhmen se si rrjedhin gjërat, por të shohim se si rrjedhin gjërat, por normal që për kombëtaren çdoherë kam qenë i hapur.”, ka thënë Rashkaj në fund.

Anel Rashkaj ishte pjesë e Kombëtares së Kosovës gjatë viteve 2014-2020, ku pati 14 paraqitje, ndërsa në fillim të këtij viti i dha fund karrierës së tij si futbollist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat