Zhang: Interi është në rrugën e duhur, synojmë yllin e dytë në fanellë

Futboll

Zhang: Interi është në rrugën e duhur, synojmë yllin e dytë në fanellë

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 11:58
Zhang

Nuk është një deklaratë që synon të lërë mënjanë kompeticionet e tjera, por pas Marottas dhe Inzaghit (si dhe disa lojtarëve të ndryshëm), edhe presidenti Steven Zhang konfirmon që objektivi kryesor i Interit këtë sezon është titulli kampion në Serie A.

“Interi është aty ku duhet të jetë. Kemi një ëndërr, yllin e dytë në fanellë dhe po punojmë që ta realizojmë këtë”, ka thënë presidenti i klubit zikaltër me anë të një videomesazhi dërguar skuadrës, që po zhvillonte festën e Krishtilindjeve, pasi nuk kishte mundësi që të ishte vetë prezent.

Pas rrugëtimit të gjatë europian sezonin e kaluar, që kulmoi me finalen e humbur në Champions League, është e qartë që klubi është i fokusuar që të paraqitet sa më mirë në Europë, por edhe në kompeticionet kombëtare. Interi ka fituar Kupën dhe Superkupën e Italisë, por titulli kampion mungon që nga viti 2021, kur skuadra drejtohej nga Conte. Zikaltërit kanë fituar 19 tituj kampion dhe këtë sezon synojnë titullin numër 20-të, që të mund të shtojnë një tjetër yll në fanellë (kujtojmë që pas 10 titujve të fituar skuadra mban një yll në fanellë).

Zhang la përgëzuar skuadrën për arritjet e vitit të kaluar dhe ka folur edhe për të ardhmen e klubit: “Rrugëtimi deri në finalen e Stambollit dhe ecuria e skuadrës këtë sezon më bën krenar. Ju falenderoj të gjithëve. Menaxhimi garanton vazhdueshmëri dhe Interi do të vazhdojë të qëndrojë në këto nivele. Falenderoj Inzaghin për punën e bërë, kjo është rruga e duhur”, ka thënë presidenti i klubit zikaltër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat