Frashëri fiton gjyqin në CAS me skuadrën arabe

Futboll

Frashëri fiton gjyqin në CAS me skuadrën arabe

Më: 16 janar 2024 Në ora: 15:43
Frashëri

Stivi Frashëri pritet të rikthehet në fushat e blerta pas gjashtë muajve pauzë.

Portieri shqiptar ishte larguar nga Ballkani në verë dhe kishte gjetur marrëveshje me skuadrën nga Liga e Parë e Arabisë Saudite, Jeddah.

Megjithatë Frashëri nuk ka luajtur fare për këtë skuadër, pasi nuk mundi të udhëtoj shkaku i vizës së punës në Arabinë Saudite dhe drejtuesit e Jeddah regjistruan një futbollist tjetër të huaj.

Frashëri kishte nënshkruar kontratë dhe tani ka dalë i lirë pasi ka fituar gjyqin ndaj skuadrës arabe ku ka fituar edhe një shumë të majme të parave nga kontrata që kishte me këtë klub.

33-vjeçari ka treguar për Telegrafin se tani është një lojtar i lirë pasi fitoi gjyqin në CAS me Jeddah Club.

“Unë tani jam një portier i lirë, pasi kam fituar gjyqin në CAS me Jeddah Club në Arabinë Saudite. Sot klubi ka pranuar të bëj pagesën e plotë për moskorrektësinë e tyre dhe tani nuk kam asgjë me këtë skuadër”, ka deklaruar Frashëri për Telegrafin.

Frashëri ka falënderuar menaxherin e tij Faisal Al-Jomaih si dhe avokatin e tij Mawuli Kwaku që bënë një punë të shkëlqyer në gjyqin përballë Jeddah Club.

“Dua të falënderoj menaxherin dhe mikun tim Faisal si dhe avokatin Mawuli Kwaku si dhe agjensin e tij AVORGAH Director of M.I.G Mak International Group, a Sports Management për gjithçka që bënë në këtë betejë ligjore”, deklaroi portieri i njohur shqiptar.

Frashëri ka një karrierë të bujshme pasi ka luajtur për Aris Selanikun në Greqi, derisa karrierë ka bërë kryesisht në skuadrat shqiptare si Bylis, Tirana, Flamurtari, Kukësi e Teuta e Durrësit.

Ai ka paralajmëruar rikthimin në futboll gjatë afatit kalimtar të janarit, ku shumë klube janë vënë pas tij duke marrë parasysh që bëhet fjalë për një portier me shumë cilësi dhe si një nga më të mirët në tregun shqiptar.

“Nga sot do shqyrtoj edhe mundësitë që më janë ofruar nga Prishtina në Kosovë apo Dinamo City në Shqipëri. Gjithashtu ka shumë skuadra që më kanë kontaktuar, por nga sot do t’i shqyrtojë të gjitha ofertat pasi tani jam një portier i lirë dhe pa obligime ndaj asnjë skuadre”, u shpreh portieri shqiptar.

Frashëri ishte pjesë e Ballkanit në Kosovë në dy vitet e fundit ku fitoi dy tituj kampioni me skuadrën suharekase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat