Sfidë e veçantë edhe për trajnerin Nevil Dede

Futboll

Sfidë e veçantë edhe për trajnerin Nevil Dede

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 13:24
Nevil Dede

Elbasani vijon rrugëtimin drejt rikthimit në elitën e futbollit shqiptar pas 10 vitesh mungesë, teksa pas 18 javësh të zhvilluara në Kategorinë e Parë, kryeson me 42 pikë.

Kalendari i ka rezervuar pasditen e të dielës një përballje mjaft interesante me Flamurtarin në “Elbasan Arena”, me vlonjatët që gjithashtu synojnë rikthimin në elitën e futbollit shqiptar, por kanë grumbulluar 10 pikë më pak se verdheblutë.

Sfida e të dielës do të jetë e veçantë edhe për drejtuesin e stolit të Elbasanit, Nevil Dede, që do të ulet për herë të 200 në pankinë, në karrierën e tij si trajner.

Një karrierë e nisur më 27 janar të 2010-ës në pankinën e klubit të tij të zemrës, Tiranës, teksa në 199 ndeshjet si trajner deri tani, Nevil Dede numëron 96 fitore, 42 barazime dhe 61 humbje.

Pikërisht Tirana është skuadra të cilën Dede e ka drejtuar më shumë, me 52 ndeshje në katër periudha të ndryshme, teksa 49-vjeçari ka drejtuar edhe ekipe si Laçi, Luftëtari, Kastrioti dhe Erzeni.

Dede numëron gjithashtu edhe dy eksperienca me kombëtaren kuqezi, pasi ka drejtuar Shqipërinë U19 për femra dhe Shqipërinë U19 për meshkuj.

Aktualisht misioni i Dedes është të rikthejë në elitën e futbollit shqiptar Elbasanin, skuadër të cilës i dha edhe titullin e dytë dhe të fundit kampion në histori, në sezonin 2005-2006, kur mbante shiritin e kapitenit të verdhebluve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat