Drita e pret ekipin e Llapit

Futboll

Drita e pret ekipin e Llapit

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 17:26
Pamje nga një ndeshje

Këtë fundjavë nis edicioni pranveror i Superligës në futboll, ku në program është xhiroja e 19-të.

Ndeshja më interesante e javës luhet në Gjilan, aty ku Drita e pret ekipin e Llapit.

Të dy ekipet kanë nga 34 pikë në pozitat dy e tre. Në pesë ndeshjet e fundit në elitë, bilanc më të mirë kanë llapjanët me katër fitore e një humbje, derisa të kaltrit nga Gjilani, tri fitore e dy humbje. Në duelet direkte, dominon Drita me dy fitore.

Përveç këtij takimi, të shtunën zhvillohet edhe sfida mes Fushë Kosovës e Gjilanit.

Të kuqtë nga Gjilani janë të tetit në tabelë me 18 pikë, tetë më shumë se Fushë Kosova e një vendi më poshtë. Në pesë sfidat e fundit, Fushë Kosova nuk e ka fituar as edhe një pikë të vetme, derisa Gjilani katër sosh.

Ekipi lider i tabelës, Ballkani e nis edicionin pranveror në udhëtim te Liria. Kjo përballje fillimisht u vendos të shtyhej por më pas u ndryshua vendimi nga Komisioni i garave. Suharekasit dimëruan në krye të tabelës me 40 pikë, derisa tabela u mbyll nga prizrenasit me nëntë pikë.

Shefki Kuqi debuton në Superligë si trajner i Feronikelit në udhëtim te Prishtina. Pesë pikë është diferenca mes tyre, më mirë qëndrojnë prishtinasit me 26 pikë të pestit, derisa nikli është i shtati me 21 sosh.

Sfida e fundit është ajo mes Dukagjinit e Malishevës, me këta të fundit që kanë situatë më të mirë.

Malishevasit dimëruan të katërtit, kanë tri fitore radhazi dhe grumbulluan 29 pikë. Në krahun tjetër, klinasit janë të gjashtit me 24 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat